Dosja e kryetarit të sapozgjedhur të bashkisë së Himarë në zgjedhjet e 14 majit, Fredi Beleri, i cili është arrestuar prej 12 majit nuk është më nën kompetencën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Njoftimi i plotë:
Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka regjistruar kallëzimin penal, mbi bazën e referimit të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, për shtetasit me iniciale Dh. A. B dhe P.K, të dyshuar për aktivitet të kundërligjshëm në fushën e shitblerjes së votës për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale Dh.A.B dhe P.K, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 328 dhe 25 të Kodit Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr. 205, datë 13.05.2023, ka vendosur:
1. Vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flangrancë datë 12.05.2023, të personit nën hetim Dh. A. B
2. Caktimin ndaj personit nën hetim Dh. A. B masën e sigurimit personal shtrëngues atë të “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale.
3. Vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flangrancë datë 12.05.2023, të personit nën hetim P.K
4. Caktimin ndaj personit nën hetim P.K, masën e sigurimit personal shtrëngues atë të “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:
– Nga personi nën hetim me iniciale Dh. A. B, i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit, vlerësimin si të paligjshëm të arrestimit dhe rrëzimin e kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit personal.
– Nga personi nën hetim me iniciale P.K, i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit, vlerësimin si të paligjshëm të arrestimit dhe rrëzimin e kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit personal në alternativë një masë sigurimi më të butë.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 29.05.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Fuat Vjerdha, vendosi:
– Dërgimin e akteve Gjykatës kompetente, Gjykatës së Posacme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.