Gjykata e Tiranës ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burg Kristjan Gjinin i cili akuzohet për ngritjen e një baze armatimesh në Tiranë në korrik të vitit të kaluar.
Kristjan Gjini ka pranuar se bazën e armëve e kishte ngritur ai dhe Prokuroria kërkoi 12 vite burg.
Ndërkohë që sa i përket të akuzuar tjetër Fatjon Murati, gjykata e shpalli të pafajshëm edhe pse prokuroria kishte kërkuar 3 vite burg për armëmbajtje pa leje. Fatjon Murati ndërkohë është në arrati, pasi ka thyer masën ‘arrest shtëpie’.
Murati fajësohej nga prokuroria për “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” në banesë.
Kujtojmë se arsenali i armëve u zbulua më 13 Korrik të vitit të shkuar. 25-vjeçari Kristjan Gjini, asokohe u arrestua pasi lëvizte me pistoletë e pas kontrollit në dy banesat e tij u gjendën një sërë armësh. Në këto banesa të marra me qira prej të riut banonte dhe e dashura e tij Kolgjegja.
Policia gjeti në dy ambientet e marra me qira 4 pistoleta, 2 automatike, 4 silenciatorë, 7 maska, 2 radio si ato të Policisë, një thikë, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa, fishekë të kalibrave të ndryshëm, dorashka, krehra, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjetet.