Gjykata e Korçës cakton masën e sigurisë arrest në burg për Alma Beqirin, të arrestuar për përvetësimin e 3 milion eurove nga bizneset online si punonjëse e një poste private.
Beqiri u arrestua 3 ditë më parë nga policia, ndërsa seanca u mbajt me dyer të mbyllura, për më tepër se 2 orë.
Gjyqtarja e çështjes ishte Thomaidha Roça, ndërsa prokuror Gjergji Ceka.
Burime për Euronews Albania, bëjnë me dije se Alma Beqiri ka mohuar akuzat ndërsa avokatët kanë kërkuar një masë më të butë sigurie pasi sipas tyre 46 vjeçarja nuk ka mashtruar e as përvetësuar para por ka shlyer rregullisht bizneset që kanë bashkëpunuar me postën për porositë.
Nuk bëhet fjalë për një mashtrim por një mosrakordim mes të pandehurës dhe kompanisë dhe dyshohet që është evazion fiskal për shkak të kryerjes së shërbimeve pa faturë tatimore.
SKEMA
E arrestuara shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i derdhte në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.
Sipas prokurorisë gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro
Sigurimi këtyre fitimeve të mëdha janë dukur dhe në jetesën ndryshe që 46 vjeçarja kishte filluar të bënte në këto dy vitet e fundit.
Policia thotë se të ardhurat investoheshin blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj.
Operacioni policor u kodua “Postmail” dhe u finalizua pas hetimeve të thelluara 2-mujore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja.
Policia po heton për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në skemën e mashtrimit.