Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Policia e Kosovës dhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) në veri të Kosovës janë kufiri mes “ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore”.

 

Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, Kurti theksoi se orëve të fundit institucionet e Kosovës kanë shtuar komunikimin me partnerët ndërkombëtar për të qetësuar situatën.

 

Kurti po ashtu ka ripërsëritur se kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ulët në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, janë të vetmit që kanë legjitimitet të jenë në ndërtesat komunale dhe në shërbim të qytetarëve.

 

“Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë”, theksoi Kurti.

 

Më tej, Kurti tha se dje përfundimisht u dëshmua se Kosova po përballet me “grupe të së djathtës ekstreme me maska që vandalizojnë, sulmojnë dhe djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe dhe që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë”.

 

Protestat dje dhe sot "nuk janë protesta për komunën, por për pushtet"

 

Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë dhe as grupe mbi ligjin dhe më të fuqishëm se shteti”, u shpreh ai.

 

Sipas kryeministrit kosovar, protestat në veri të Kosovës po bëhen për pushtet dhe jo për komunën. Ai theksoi se “pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve, jo me dhunë dhe krim”.

 

“Unë e di që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor, por protestat dje dhe sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë, e cila ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, si dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protesta për komunën, por për pushtet. Në Kosovë pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve”, tha kryeministri Kurti.

 

SHBA: Kosova nuk është koordinuar me SHBA-në për veprimet e ndërmarra

 

Sot më herët, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffry Hovenier, njoftoi se pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjen ushtarake të NATO-s ‘Defender Europe 2023’ është anuluar, si pasojë e parë për qeverinë e Kosovës për shkak të refuzimit të kryeministrit Kurti për të ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

 

Duke folur në një takim me gazetarët në Prishtinë, ambasadori Hovenier ka theksuar se qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me SHBA-në për veprimet e ndërmarra të premten e kaluar, kur kryetarët e sapozgjedhur të tre komunave në veri kanë hyrë në ndërtesat komunale.

 

Siç tha ai, SHBA-ja kërkon nga qeveria e Kosovës të mos insistojë që kryetarët e komunave të punojnë nga ndërtesat komunale dhe që të tërheq forcat policore nga tre ndërtesat komunale në veri.

 

Partitë opozitare të Kosovës gjithashtu kanë shprehur shqetësimin për konfrontimin e Kosovës me aleatët e saj, veçanërisht me SHBA-në.

 

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje qeverisë të rishqyrtojë dhe të ndryshojë urgjentisht qasjen, ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kryeministri Kurti duhet të japë dorëheqje menjëherë.

 

Tensionet në veri të Kosovës

 

Në veri të Kosovës ku ditët e fundit janë rritur tensionet, serbët zhvillojnë protesta duke u mbledhur para ndërtesave të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq duke tentuar të hyjnë në ndërtesat e komunave dhe duke penguar fillimin e detyrës për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.

 

Mes forcave të sigurisë dhe serbëve në veri të Kosovës, edhe më 26 maj u shënuan përleshje pasi policia "asistoi" kryetarët e komunave veriore Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në të cilat jetojnë kryesisht serbët.

 

Ndërkohë u bë e ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i dha urdhër ushtrisë për "gatishmëri" dhe se pjesëtarët e ushtrisë serbe janë nisur drejt kufirit të Kosovës.

 

Policia e Kosovës dhe Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë kanë rrethuar me tela ndërtesat e komunave dhe shtuan numrin e personelit në rajon.

 

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në rajon u fituan nga kandidatët e partive politike shqiptare, ndërsa u bojkotuan nga serbët e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se nga 45.095 votues të regjistruar në komunat veriore, votuan vetëm 1.567 qytetarë (3,47 për qind) e tyre./AA