Policia arrestoi 125 persona gjatë ndërhyrjes ndaj kampit të studentëve që protestuan në kampusin e Universitetit të Amsterdamit në Holandë me qëllim për të treguar solidaritetin e tyre me Gazën.

Në deklaratën e policisë thuhet se administrata e Universitetit të Amsterdamit nuk dëshironte që studentët të ndodheshin në kampus dhe ndërhyrja ndaj protestës u bë pas kësaj me lejen e marrë nga Prokuroria e Holandës.

Më tej në deklaratë theksohet se kryebashkiakja e Amsterdamit, Femke Halsema erdhi në kampus për të parandaluar ndërhyrjen e forcave të sigurisë dhe për të zhvilluar negociata mes studentëve dhe administratës së universitetit.

- Ndërhyrja e ashpër e policisë

Sam Wayland, një nga protestuesit që u ndalua në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se policia mbërriti në zonë gjatë mesnatës me buldozerë.

"Protesta nisi në mënyrë paqësore. Nuk kishte ndonjë problem dhe kështu vazhdoi deri në orën 03:00. Më pas filloi dhuna policore. Policia ndërhyri ndaj barrikadave me buldozerë edhe pse disa protestues ndodheshin mbi barrikada. Kur disa protestues hodhën fishekzjarre drejt policisë, policia e përdori këtë si arsye për të ushtruar dhunë", tha ai.

"Policia ndërhyri ashpër edhe ndaj protestuesve paqësorë që nuk bënë rezistencë", tha Wayland i cili shtoi se edhe ai vetë u përball me dhunën e një polici që përdori shkopin e gomës.

Ndërsa policia vazhdoi qëndrimin në kampus edhe në orët e mëngjesit, tendat dhe sendet e mbështetësve pro-palestinezë u mblodhën dhe zona u mbyll për hyrjet dhe daljet e studentëve./aa