Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 14 maj në Türkiye, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) e presidentit Recep Tayyip Erdoğan fitoi më shumë ulëse në parlament në krahasim me partitë tjera.
Ahmet Yener, kryetari i Këshillit Suprem të Zgjedhjeve (YSK), në një konferencë për media në Ankara ndau rezultatet zyrtare të shpërndarjes së mandateve parlamentare.
Përveç AK Partisë, e cila siguroi gjithsej 268 deputetë, partnerët e saj të Aleancës Popullore fituan 55 deputetë, duke siguruar një shumicë të kombinuar prej 323 deputetë nga 600 gjithsej.
Në kuadër të Aleancës Popullore bëjnë pjesë Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), e cila fitoi 50 deputetë dhe Partia e Mirëqenies së Re (YRP) e cila fitoi 5 deputetë.
Koalicioni kryesor opozitar, Aleanca e Kombit, siguroi 212 deputetë në parlament. Prej tyre, 169 deputetë i përkasin Partisë Republikane Popullore (CHP), ndërsa 43 partnerëve të koalicionit, Partisë IYI.
65 vendet e mbetura të parlamentit u fituan nga Aleanca e Punës dhe Lirisë, e përbërë nga Partia e Majtë e Gjelbër me 61 deputetë dhe Partia e Punës e Türkiye-s me katër deputetë.
Yener tha gjithashtu se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet parlamentare brenda Türkiye-s ishte 88,92 për qind, ndërsa jashtë vendit ishte 53,80 për qind, duke përbërë një përqindje të përgjithshme pjesëmarrjeje prej 87,05 për qind.
Zgjedhjet e 14 majit ishin përfundimtare për parlamentin, por zgjedhjet presidenciale shkuan në raund të dytë pasi asnjë kandidat nuk mori mbi 50 për qind të votave.
Sipas Këshillit Suprem të Zgjedhjeve, në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtur më 28 maj, Erdoğan fitoi garën me 52,14 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës Kemal Kılıçdaroğlu mori 47,86 për qind të votave./AA