Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha sot se Britania e Madhe është "armiku i përjetshëm" i Moskës dhe zyrtarët e saj që ndihmojnë luftën e Ukrainës janë objektiva "legjitime" ushtarake, transmeton Anadolu.

 

"Britania e Madhe vepron si aleat i Ukrainës duke i ofruar asaj ndihmë ushtarake në formë të pajisjeve dhe specialistëve, pra, 'de facto' ajo po udhëheq një luftë të padeklaruar kundër Rusisë", tha Medvedev në Twitter, i cili kryeson Këshillin e Sigurisë në Rusi.

 

"Në këtë rast, çdo zyrtar i saj publik (qoftë ushtarak, ose civil, që ndihmon luftën) mund të konsiderohet si një objektiv legjitim ushtarak".

 

Komentet e tij erdhën një ditë pasi Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly tha se Ukraina ka të drejtë të "veprojë përtej kufijve të saj" për t'u vetëmbrojtur.

 

Medvedev, i cili gjithashtu ishte kryeministër i Rusisë, tha: “Zyrtarët 'budallenj' të Britanisë, armikut tonë të përjetshëm, duhet të rikujtojnë se brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar të pranuar botërisht që rregullon luftën moderne, përfshirë Konventat e Hagës dhe Gjenevës me protokollet shtesë, shteti i tyre mund të cilësohet edhe si në luftë".

 

Britania është aleat i vendosur i Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar, duke ofruar ndihmë ushtarake ekonomike, humanitare dhe mbrojtëse për Kievin dhe duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.