Presidenti i SHBA-së, Joe Biden njoftoi se do të vendosin më shumë se 500 sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të vdekjes së opozitarit rus, Alexei Navalny në burg.

Në deklaratën në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Biden njoftoi sanksione të reja kundër Moskës për shkak të vdekjes së Navalny-t, në mesazhin e tij të publikuar në prag të vitit të dytë të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Biden tha se më shumë se 500 sanksione të reja do të vendosen kundër Rusisë për shkak të vdekjes së Navalny-t dhe vitit të dytë të Luftës Rusi-Ukrainë.

Ai theksoi se sanksionet do të mbulojnë sektorin e financave dhe mbrojtjes së Rusisë si dhe njerëzit "të lidhur me burgosjen e Navalny"-t. "Sanksionet do ta bëjnë Putinin të paguajë një çmim edhe më të rëndë për agresionin e tij jashtë vendit dhe presionin në vend", tha presidenti amerikan.

Përveç sanksioneve, Biden potencoi se kufizimet e reja të eksportit u vendosën për rreth 100 organizata me arsyetimin se ato i dhanë mbështetje indirekte Rusisë./aa