Agresioni rus në Ukrainë, por edhe shtimi tensioneve në Ballkan dhe veçanërisht në veri të Kosovës ka shtuar sfidat për sigurinë dhe paqen në botë. Kjo ishte një nga temat që u diskutua në Konferencën për “Sfidat kritike të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor” e mbajtur këtë të mërkurë në Tiranë. Presidenti i Këshillit të Atlantikut për Shqipërinë, Arian Starova thekson se tensionet në disa rajone kanë rritur papara-shikueshmërinë e situatave me të cilat mund të haset bota.

 

“Situata e paqes dhe sigurisë në botë është shumë problematike. Gjithnjë e më shumë bëhet më e paparashikueshme. Një nga këto zhvillime që ka shtuar shqetësimet është agresioni rus në Ukrainë. Por edhe më parë, në dekadat e fundit, bota e ka shtuar gamën e rreziqeve për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha Starova.

 

Në lidhje me situatën në veri të Kosovës në ditët e fundit, ai shprehet optimist për qetësim të situatës pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.

 

“Kjo lidhet me mendimet përtej të qenit publike të Vuçiçit dhe lidhjeve me Putinin. Ne nuk mund të parashikojmë as për mirë e as për keq. Por fakti që nuk mund të parashikojmë dot është një shqetësim. Le të shpresojmë që me ndërhyrjen e faktorëve ndërkombëtare, SHBA, BE, NATO, por edhe me shtimin e forcave në terren, shpresojmë që mos të ketë përshkallëzim të mëtejshëm”, tha Starova.

 

Sa i takon qëndrimit të fortë amerikan kundër vendimmarrjes së qeverisë Kurti, Starova tha se interesi i SHBA, por edhe i vendeve të tjera të NATO-s është që situata në Ballkan të mos përshkallëzohet.

 

“Unë nuk e shikoj në mënyrë të ngurtë qëndrimin amerikan. SHBA janë të interesuar që të ulin tensionet dhe të sfumojnë flakët e një përshkallëzimi të mundshëm, dhe shpresojmë që do të arrihet, por sërish çështja ka një pikëpyetje të madhe”, përfundoi Starova.