I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se rruga në të cilën po ecën qeveria Kurti në dialogun me Serbinë, në plan afatgjatë mund të mos jetë në interesin e mirë të Kosovës për afrim me BE-në.

Sarrazin tha për ABC News se rruga e zgjedhur nga kryeministri Albin Kurti, mund të çojë në humbjen e mundësive për të shkuar drejt Bashkimit Evropian.

“Rruga në të cilën po ecën qeveria e Kurtit në dialog, në planin afatgjatë, kam frikë se kjo mund të mos jetë e mirë në interesin e Kosovës, për afrimin me Bashkimin Evropian. Kam frikë se kjo mund të çojë më shumë në një drejtim të mbështetjes tek vetja dhe humbjes së mundësive për të shkuar drejt BE-së”, tha ai.

Sarrazin i kërkoi Kosovës dhe Serbisë më shumë vullnet politik në dialog, dhe palët të ndërmarrin veprime konkrete, pasi sipas tij, nuk është detyrë e BE-së që të jetë arbitër. Ai po ashtu i kërkoi Serbisë t’i vendosë sanksione Rusisë./ata