Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se pas bisedës së djeshme me kolonelin e trupave amerikane të KFOR-it dhe pas kërkesave të kësaj partie, misioni i NATO-s i ka dislokuar forcat e veta në pesë pika në qendër të Zveçanit.

 

 

Kjo, sipas Rakiqit, është bërë me qëllim që “të parandalohet hyrja e njësisë speciale të Policisë së Kosovës” dhe “të mos ndodhë ndonjë incident”.

 

Forcat e KFOR-it janë të pranishme në rrugët e Zveçanit që nga pasditja e djeshme, por nga KFOR-i nuk kanë konfirmuar se arsye për këtë është parandalimi i Policisë së Kosovës.

 

 

Rakiq tha se pret që KFOR-i “ta mbrojë popullin që proteston”.

 

Në protestën e sotme në Zveçan janë edhe minatorët. Rakiq tha se ata nuk kanë mundur ta bëjnë punën e tyre që nga e premtja.

 

Minatori i minierës Crnac, Darko Milloviq, i cili foli për mediat në emër të kolegëve të tij, tha se prodhimi është pezulluar që nga e premtja “për shkak se forcat speciale kanë bllokuar flotacionin dhe nuk lejojnë kamionët të transportojnë minerale nga miniera në flotacion”./REL