Rusia ka vendosur tashmë një grup të parë të armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, ka deklaruar presidenti rus, Vladimir Putin.

 

Presidenti rus tha në një forum se ato do të përdoren vetëm nëse territori ose shteti i Rusisë kërcënohet.

 

Qeveria amerikane thotë se nuk ka asnjë indikacion se Kremlini planifikon të përdorë armë bërthamore për të sulmuar Ukrainën.

 

“Ne nuk shohim asnjë indikacion se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore,” tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pas komenteve të Putinit.

 

Bjellorusia është një aleat kryesor rus dhe shërbeu si një pikënisje për pushtimin e plotë të Ukrainës nga Putini në shkurt të vitit të kaluar.

 

Putin tha se transferimi i kokave bërthamore taktike do të përfundojë deri në fund të verës.

 

Duke iu përgjigjur pyetjeve pas një fjalimi në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, presidenti rus tha se masa kishte të bënte me “përmbajtjen” dhe për t’i kujtuar kujtdo që “mendon të na shkaktojë një humbje strategjike”.

 

I pyetur nga moderatori i forumit për mundësinë e përdorimit të këtyre armëve, ai u përgjigj: “Pse duhet të kërcënojmë të gjithë botën? Tashmë kam thënë se përdorimi i masave ekstreme është i mundur në rast se ekziston rrezik për shtetësinë ruse”.

 

Armët bërthamore taktike janë koka të vogla bërthamore dhe sisteme shpërndarjeje të destinuara për përdorim në fushën e betejës, ose për një goditje të kufizuar. Ato janë krijuar për të shkatërruar objektivat e armikut në një zonë të caktuar pa shkaktuar pasoja të përhapura radioaktive.

 

Armët më të vogla taktike bërthamore mund të jenë një kiloton ose më pak (duke prodhuar ekuivalentin me një mijë tonë TNT shpërthyes). Më të mëdhenjtë mund të jenë deri në 100 kiloton. Për krahasim, bomba atomike që SHBA hodhi në Hiroshima në 1945 ishte 15 kiloton.