Policia e Tiranës ka zbardhur detaje nga shpërthimi me tritol i ndodhur disa ditë më parë në rrugën “Fadil Deliu” në Tiranë, në bodrumin e një fasoneri.
Uniformat blu bëjnë me dije se ka rënë në pranga 46-vjeçari Edmond Arapi, pasi i ka dhënë para një 16-vjeçari duke e shtyrë për të vendosur sasinë e lëndës plasëse në fasonerinë që ishte në pronësi të një shtetasi italian.
Theksojmë se nga shpërthimi u raportuan vetëm dëme materiale. Sakaq në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshjet që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit, si dhe një mekanizëm shkrehës arme, e cila u gjet gjatë kontrollit të banesës së 46-vjeçarit.
NJOFTIMI:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 25.05.2023, në rrugën “Fadil Deliu”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të një fasonerie.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Explosion”.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga një 46-vjeçar dhe një 16vjeçar.
46-vjeçari dyshohet se ka shtytur 16-vjeçarin, duke i ofruar një shumë parash, për vendosjen e sasisë së eksplozivit, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Sekuestrohen një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshje që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit dhe një mekanizëm arme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe atë të Himarës, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur me datë 25.05.2023, në një fasoneri në rrugën “Fadil Deliu”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Explosion”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit E. A., 46 vjeç dhe i një shtetasi 16 vjeç.
Nga veprimet hetimore dhe provat e siguruara dyshohet se 46-vjeçari e ka shtytur 16-vjeçarin, duke i ofruar shumë 100 000 lekë të rinj, për të vendosur sasisë e lëndës plasëse në fasonerinë në pronësi të shtetasit R. G.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshjet që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit, si dhe një mekanizëm shkrehës arme, e cila u gjet gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. A.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.