Ministria e Brendshme reagoi sot pas rastit të transmetuar mbrëmjen e kaluar në media, për të cilin Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vepruan menjëherë.

 

“Ministria e Brendshme falënderon emisionin “Fiks Fare” për denoncimin e punonjësit të policisë që abuzonte me detyrën. Ky punonjës është arrestuar nga AMP e do të përballet me drejtësinë për të marrë ndëshkimin sipas ligjit”, thuhet në një njoftim për shtyp.

 

Ministria e Brendshme inkurajoi investigime të tilla gazetareske, por edhe referimin e qytetarëve për punonjës të Policisë së Shtetit që kryejnë shkelje ligjore apo etike gjatë ushtrimit të detyrës.

 

“Vijimësisht jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, të cilët kurrsesi s’ka vend në radhët e kësaj trupe. Vetëm përgjatë vitit 2022 AMP ka referuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre 357 raste nga të cilët 168 me masë shtrënguese. Në 5 muajt e parë të këtij viti janë referuar 119 raste nga të cilët 34 me masë shtrënguese. Ky është tregues i vullnetit tonë të plotë për të larguar nga Policia e Shtetit ata që bëjnë pis uniformën e kësaj trupe”, thuhet në njoftim.