Kryetarja e Komisionit të Integrimit në Kuvendin e Shqipërisë, Deptuetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një reagim në rrjetet sociale e ka cilësuar Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2024, që nis diskutimet në Kuvend, si një vendi në shërbim të pakicës.
Ajo përmes një videomesazhi shpjegon që rritja e të ardhurave në buxhet, do të shkojë për transferimin e Portit të Vjetër të Durrësit.
“Pa kaluar as dy muaj nga fillimi i vitit qeveria sjell buxhetin për ta ndryshuar në parlament. Ndryshimet që nisin të diskutohen këtë javë kanë dy elementë bazë. E para lidhet me të ardhurat. Kemi një rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit që nuk vjen nga asnjë faktor normal, por vjen vetëm për shkak të rritjes së taksave dhe çmimeve”, thotë Tabaku.
“Inflacioni socialist që ka të paktën tre vite që dëmton xhepat e shqiptarëve, tashmë po sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Po ku shkojnë këto të ardhura? Për përmirësimin e arsimit, pensionet, shëndetësisë, apo në ndonjë sektor që lidhet me shumicën e qytetarëve shqiptarë? Jo, të gjitha të ardhurat shkojnë tek porti i Durrësit”, tha Tabaku.
“Për portin e Durrësit, transferimi i portit të vjetër të Durrësit, që thanë se s’do harxhohet asgjë nga buxheti i shtetit, por merr dhe pagesat e para. 400 milionë euro në total do t’i kushtojë buxhetit të shtetit. 90 milionë euro nisin me këtë ndryshim që diskutohet në parlament”, u shpreh Tabaku.
Këshilli i Ministrave miratoi në shkurt Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2024.
Në komunikimin me mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Financave, Ervin Mete, u shpreh se përmes këtij Akti Normativ qeveria do t’i vijë në ndihmë sektorit fason, me instrumentin e garancisë së re shtetërore prej 4 miliardë lekësh, në mënyrë që ky sektor të përballojë efektet e goditjeve, të përmirësojë proceset teknologjike dhe të rrisë më tej produktivitetin./ata