Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi ”Leqembi”-n, ilaçin e parë të provuar që ngadalëson përparimin e sëmundjes së Alzheimerit.

 

FDA tha se miratimi bazohej në të dhënat klinike që tregojnë efektin e ilaçit në një “pikë përfundimtare zëvendësuese” që “ka të ngjarë të parashikojë një përfitim klinik për pacientët”.

 

”Leqembi” ngadalëson rënien e kujtesës me rreth 27 për qind gjatë 18 muajve, sipas testeve klinike.

 

“Veprimi i sotëm është verifikimi i parë që një ilaç, i cili synon procesin e sëmundjes së Alzheimerit ka treguar përfitim klinik në këtë sëmundje shkatërruese”, deklaroi Teresa Buracchio, drejtoreshë në detyrë e Zyrës së Neuroshkencës në Qendrën për Vlerësimin dhe Kërkimin e Barnave të FDA-së.

 

“Ky studim konfirmues vërtetoi se është një trajtim i sigurt dhe efektiv për pacientët me sëmundjen e Alzheimerit”, shtoi Buracchio.

 

Miratimi i agjencisë ka të ngjarë të çojë në mbulimin e Medicare për të rriturit mbi 65 vjeç pasi infuzioni dy herë në muaj kushton 26 500 dollarë në vit.

 

Më shumë se 6,5 milionë amerikanë janë të prekur nga sëmundja e Alzheimerit, e cila është shkaku i pestë kryesor i vdekjeve në mesin e të rriturve mbi 65 vjeç.