Të paktën 42 persona kanë humbur jetën pasi përmbytjet e rrezikshme shkatërruan mijëra shtëpi në Haiti.
Sipas mediave të huaja, më shumë se 13,600 shtëpi u përmbytën pasi lumenjtë shpërthyen nëpër pjesë të ishullit të Karaibeve gjatë fundjavës, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile e Haitit (DPC).
Agjencia tha se 85 persona u plagosën nga përmbytjet dhe 11 persona rezultojnë të zhdukur.
Të paktën 7,500 familje u prekën nga përmbytjet. Gati 13,400 njerëz u zhvendosën nëpër departamentet e Ouest, Nippes, Sud-Est, Nord-Ouest dhe Centre, njoftoi agjencia të dielën.
Marrja e furnizimeve në zonat e prekura është bërë e vështirë nga problemet e vazhdueshme të vendit me dhunën e bandave, shkruajnë mediat e huaja.
Ekuipazhet po përpiqen “me ndrojtje” të lundrojnë nëpër territoret e kontrolluara nga bandat për të arritur tek ata që kanë nevojë për ndihmë pas përmbytjeve fatale, sipas raportit.
Kryeministri Ariel Henry tha se ai po kërkon ndihmë nga vendet e tjera pas katastrofës, sipas AP.
“Qeveria ime, së bashku me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, po miratojnë masa urgjente për të përmbushur kërkesat e ditës”, tha Henry në një deklaratë të dielën, sipas Reuters.
Përmbytjet në Haiti vijnë pasi sezoni i uraganeve në Atlantik po fillon. Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) ka parashikuar një sezon stuhie pothuajse normale në Atlantik këtë vit, me rreth 12 deri në 17 stuhi të parashikuara.
Një stuhi tashmë është emëruar që nga fillimi i sezonit të enjten. Stuhia tropikale Arlene u formua në Gjirin e Meksikës të premten, por u zvogëlua në një depresion subtropikal, sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve.