Zbardhen dhe dokumentohen 7 vjedhje të ndryshme të kryera së fundi, nga një 31-vjeçar.

 

 

Vihet në pranga 31-vjeçari, sekuestrohen 3 biçikleta të dyshuara të vjedhura prej tij dhe një aparat celular.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm, për disa raste të vjedhjeve, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mountain bike”.

 

Si rezultat i këtij operacioni, u ndalua shtetasi Vilson Senija, 31 vjeç, banues në Tiranë.

 

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë 3 javëve të fundit, ka kryer 7 vjedhje, në zona të ndryshme të Tiranës, konkretisht:

 

– Më datë 18.05.2023, në rrugën “Qemal Stafa”, ka vjedhur biçikletën e një shtetaseje;

 

– Më datë 26.05.2023, në rrugën “Don Bosko”, ka vjedhur dy biçikleta në pronësi të një shtetasi;

 

– Më datë 29.05.2023, në rrugën “Nikolla Jorga”, ka vjedhur aparatin celular të një shtetasi, ndërsa në rrugën “Jordan Misja”, ka vjedhur biçikletën e një shtetasi;

 

– Më datë 31.05.2023, në rrugën “Kol Xhumari”, ka vjedhur biçikletën e një shtetasi;

 

– Më datë 01.06.2023, në rrugën “Fadil Rada”, ka vjedhur një shumë parash, në një subjekt privat;

 

– Më datë 02.06.2023, në rrugën “‘Maliq Muço”, ka tentuar të vjedhë në një banesë.

 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 biçikleta të dyshuara të vjedhura nga ky shtetas dhe një aparat celular.

 

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.