Pas pamjeve të publikuara ditën e sotme në media, një ditë pas mbledhjes së kryesisë së PD, ku mbështetës së ish-kreut të PD, Lulzim Basha ndaluan deputetë demokratë dhe u përplasën me ta ka reaguar ashpër deputeti Ervin Salianji.

 

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Salianji shkruan se Lulëzim Basha nuk është larguar asnjë ditë nga PD, por sipas tij ai ka përdorur truke për të qenë në parti pavarësisht se nuk ka as mbështetje, as elektorat dhe as parti.

 

Më tej ai shkruan se e vetmja risi në mbledhjen e djeshme të kryesisë ishin pamjet me dhunë verbale, presion, shantazh dhe fyerje ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe por që e kanë mbështetur maksimalisht Lulzim Bashën.

 

“Langaraq me Ramën, gangëster me demokratët që e mbështesin!

 

Siç e kam paralajmëruar prej më shumë se një viti LB nuk është larguar asnjë ditë, ka përdorur truke për tu zvarritur pavaresisht se nuk ka as mbështetje, as elektorat dhe as parti!

 

E vetmja risi nga e djeshmja ishin pamjet e dhunshme!Pamjet me dhunë verbale, presion, shantazh dhe fyerje ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe por që e kanë mbështetur maksimalisht LB tregojnē katandisjen e një njeriu qē u mbështet si shpresa e PD dhe përfundoi në fatkeqësinë e demokratëve!

 

Dhuna e insipruar nga LB ndaj demokratëve bëhet dhe më e rëndë kur mendon që për 10 vite me radhë sjellja ndaj Ramës dhe bandave të tij ka qënë prej të përuluri si langaraq!

 

Sjellja prej despoti, tentativa për pronësinë e kolibes, dhuna, gjuha dhe veprimet bien ndesh me vlerat perëndimore dhe euroatlantike, përfaqësojnë hiç më pak se putinizimin e kulturës politike!

 

Demokratët duhet të ndahen me forcë nga kjo sjellje që po vazhdon të dëmtojë shpresat e demokratëve dhe të shoqërisë!”-shkruan Salianji.