Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke folur për protestën e opozitës tha se protesta është për t’iu kundërvënë drejtësisë.

 

Në një prononcim për mediet nga Fieri, Balla theksoi se protesta u njoftua ditën kur në SPAK u thirr Shkëlzen Berisha, ndërsa ditën kur u çuan provat e reja për 21 janarin në SPAK u bllokua Kuvendi.

 

“Fakti që dosja Gërdeci po ecën përpara, fakti që drejtësia më në fund po hedh dritë mbi këto dy ngjarje që janë ngjarje epokale të korrupsionit të Sali Berishës. Gërdeci është korrupsioni, 21 janari vrasjet për të mbuluar korrupsionin. Do të presim 14 majin dhe rezultati do të jetë siç i shkon jo vetëm qarkut të Fierit, por edhe siç duhet dhe siç është vlerësimi i qytetarëve shqiptarë”, nënvizoi Balla.

 

Kreu i grupit parlamentar u shpreh se “protesta sot nuk lidhet me një shkak që ekziston. Sot Sali Berisha ka thirrur një protestë që të justifikojë hallin e tij. Ai është shpallur ‘non grata’ nga SHBA-të dhe pyetja që shtrojmë është: “A ka ndonjë shqiptar dyshim që ai ka bërë korrupsion dhe ka minuar demokracinë?”.

 

I pyetur që nëse një subjekt politik pa vulë mund të mbledhë qytetarët dhe të garojë zgjedhjet e majit, Balla tha se “ju e keni parë se si deputetë të PD-së edhe pse ishin jashtë Shqipërisë kishin firmosur me emër mbiemër, pa qenë këtu”.

 

“Këta e kanë problem të madh këtë çështjen e firmës dhe vulës, Çështje e tyre, ne nuk ndërhyjmë dot. Kuvendi i Shqipërisë do t’i shkojë deri në fund një hetimi etik dhe penal se si guxojnë që deputetë, njëri kandidat për kryebashkiakë në Tiranë, që edhe emrin ia kanë shkruar gabim, nuk del të thotë. Këta që falsifikojnë firmat dhe vulat e njëri-tjetrit nuk kanë qasje për t’u shëruar.  Këtyre shqiptarët duhet t’i japin një mësim siç duhet më 14 maj. Dhe ne do t’ia japim”, u shpreh Balla. /ATSH