Deputeti demokrat, Ervin Salianji u shpreh sot se ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha e ka marrë peng këtë forcë politike për interesat e tij private dhe ekonomike.
Duke folur në një prononcim për mediat lidhur me mbledhjen e kryesisë së PD-së ku u vendos mbajtja e zgjedhjeve për kryetar në 29 korrik, Salianji tha se kjo forcë politike ka mbetur pa anëtarë, por Bashës i interesojnë vetëm të ardhurat e logos së partisë.
“Interesat private dhe ekonomike të disave te pjesa e vulës ka bërë që te PD të mos ketë më parti. Nëse s’do ishte dhuna ndaj gazetarëve, do ishte si një sherr në lagje. Aty është një njeri i cili e ka marrë peng partinë, ish kryetari nuk u dorëhoq. U detyrua të largohej, por vazhdon ta marrë zvarrë atë parti. Do të tretet bashkë me partinë dhe bashkë me logon”, tha Salianji.
Sipas tij “Nuk kam ndonjë interes përveç interesit që i dhemb çdo demokrati që është sekuestruar vula, sigla, paratë. Aty ka më shumë pretendentë për kryetarë partie, sesa anëtarë partie. Ish kryetarit nuk i interesojnë njerëzit, por i interesojnë paratë se para ka. Është një situatë që çdo demokrat duhet të reagojë me forcë”.