Leku po fiton pozita gjithnjë e më të forta në kursin e këmbimit kundrejt valutave kryesore. Në kursin e Bankës së Shqipërisë, Dollari Amerikan ka zbritur nën kufirin 100 lekë për herë të parë që nga viti 2011. Valuta e SHBA-ve po këmbehet 99.1 lekë, ndërkohë që kursin në rënie po ndjek edhe euro, e cila këtë të mërkurë këmbehet 106.4 lekë.

 

Rënie të ndjeshme ka pësuar edhe Paundi Britanik, në vlerën 124.3 lekë, niveli më i ulët historik në kursin e këmbimit me Lekun, që kur banka qendrore nisi të ruajë informacionin.

 

Për ekonomistët, fakti që Euro është zhvlerësuar kaq shumë përballë lekut, shpjegon edhe nënçmimin e Dollarit dhe Paundit.

 

 

Rënia e valutës po e bën lekun gjithnjë e më të fortë. Këto zhvillime kanë tendencë t’i bëjnë më të lira importet e mallrave nga jashtë. Euro është monedha dominuese në këmbimet tregtare, por edhe Dollari Amerikan ka një rol të rëndësishëm, sidomos në tregjet e lëndëve të para dhe të karburanteve.

 

Por, njëlloj siç po ndodh me Euron, forcimi i lekut po godet eksportuesit që blejnë në SHBA.