Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaron se situata e krijuar mes Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në një reagim në rrjetet sociale pas deklaratës së kryeministrit Rama se i ka përcjellë Macron dhe Scholz një draft për Asociacionin e komunave serbe, Meta shprehet se nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, të cilat acarojnë apo përkeqësojnë situatën, e cila paraqitet delikate.
“Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë. Asociacioni i Komunave është një marrëveshje tashmë e pranuar nga qeveria aktuale e Kosovës, dhe ajo garantohet në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, të realizuara me mbështetjen dhe negocimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaron ai.
Sipas tij, zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni, gjendet tek respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Meta shton se Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Ndërsa tek Vuçiç, vijon Meta, nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi, një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën.
“Z. Rama, nëse do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situatës.”