Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Budapest, Hungari, për të marrë pjesë në takimin e pestë të Komunitetit Politik Europian, së bashku me 47 kryetarë shtetesh e qeverish nga e gjithë Europa.
Liderët pjesëmarrës do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Europa, në seancën plenare, e cila do të pasohet nga katër sesione kryesore mbi temat e migracionit dhe sigurisë ekonomike. Sesioni për migracionin do të përfshijë të gjitha aspektet e migracionit, ndërsa ai për sigurinë ekonomike do të diskutojë edhe lidhjen në aspektin e energjisë, transportit, IT-së dhe gjithashtu tregtisë globale.
Në nisje te sesionit plenar, Kryeministri Rama iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme, të cilat i informoi se “do të marrim stafetën këtu për takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri, gjysmën e parë të vitit që vjen”.
“Ka shumë gjëra për të diskutuar. Ndryshimi klimës është i kudogjendur dhe në krye të përparësive të vendeve europiane, por ka edhe çështje të tjera për të diskutuar. Jemi shumë krenarë që kemi mundësi që ta mikpresim këtë takim”, tha Rama./ata