Qyteti port i Tivarit në Mal të Zi, pranë kufirit me Shqipërinë, njihet si qyteti ku fe të ndryshme jetojnë në paqe së bashku.

 

Qyteti port i Tivarit, me një popullsi prej rreth 45 mijë banorësh, ka dyqane të vogla historike në çarshinë e vjetër. Ai gjithashtu ka pamje të bukur të qytetit të vjetër dhe mureve të ndërtuara në kodrën e saj të lartë.

 

Qyteti i vjetër, rrugët e ngushta të të cilit janë zbukuruar me lule shumëngjyrëshe dhe me shkallët e saj të gurta që ngjajnë me kalldrëmin është ndër pikat më interesante për turistët.

Tivari, ku muslimanët, ortodoksët dhe katolikët jetojnë në unitet, të lumtur dhe të qetë, shfaqet si një "qytet shembullor" në vendet e rajonit.

 

- Një nga qytetet ku jetojnë më së shumti fe dhe kombësi të ndryshme në Mal të Zi

 

Mujdin Milaimi, kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, kryepeshkopi i Tivarit, Sllobodan Zekoviq i Kishës Ortodokse dhe zëvendës kryepeshkopi i Kishës Katolike, Don Keljmendi Spaci, folën për Anadolu për paqen dhe unitetin e qytetit.

 

Imami Milaimi tha se "Tivari është një nga qytetet ku jetojnë fetë dhe kombësitë e ndryshme në Mal të Zi. Tradita e bashkëjetesës së popujve dhe tri feve vazhdon".

Duke thënë se kjo traditë ka nisur në kohën e myftiut Murteza Karaduzoviq (1865-1941), Milaimi tha: “Myftiu Karaduzoviq ka raporte shumë të mira me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse dhe Kishës Katolike. Ai vinte çdo të premte në çarshinë e vjetër të Tivarit për të pirë kafe dhe për bisedë. Kjo situatë ishte shumë e bukur, për të cilën edhe sot njerëzit ende flasin".

 

Milaimi tha se kjo traditë vazhdon ende në qytet dhe tha se gjatë të gjitha festave fetare bashkohen liderë të feve të ndryshme dhe është krenar që jeton në një qytet të tillë.

 

- "Është me të vërtetë një nder të jetojmë me vëllezërit dhe motrat tona muslimane dhe ortodokse"

 

Duke theksuar se qyteti i Tivarit dhe banorët e tij të feve të ndryshme kanë ruajtur shpirtin e bashkimit dhe miqësisë për shekuj, kryepeshkopi i Tivarit të Kishës Ortodokse, Zekoviq tha:

 

“Me këtë veçori Tivari njihet jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në gjithë rajonin. Kjo është pasuri e madhe, një trashëgimi që duhet ruajtur. Edhe ne, edhe brezat e ardhshëm kemi përgjegjësi të madhe për ta mbrojtur këtë pasuri të jetës së përbashkët".

Zëvendës kryepeshkopi i Kishës Katolike në Tivar, Spaci tha se marrëdhëniet ndërfetare janë në nivelin më të mirë. "Është vërtet një nder të jetojmë këtu me vëllezërit tanë muslimanë dhe ortodoksë. Ne jetojmë këtu ashtu siç dëshiron Zoti që njerëzit të jetojnë së bashku dhe përpiqemi të japim shembull për besimtarët. Vizitat e ndërsjella na bëjnë shumë të lumtur", tha ai.

 

- Në Tivar ka një xhami 361-vjeçare dhe një kishë 160-vjeçare

 

E vendosur pranë çarshisë së vjetër të qytetit të Tivarit, xhamia 361-vjeçare "Omer Pasha" është vend i selvive shekullore.

 

Xhamia, e cila u ndërtua jashtë murit të qytetit në vitin 1662 nga Omer Pasha dhe dy djemtë e tij, i cili kishte ndërtuar këtë xhami jashtë porteve pasi kishte mbetur vonë për namazin e akshamit pasi portat e qytetit të vjetër ishin mbyllur, në oborrin e saj ka gurë të varreve osmane dhe tyrben e Kadi (gjykatës) Hasanit.

E njohur si xhamia më e vjetër në qytet, xhamia e "Omer Pashës" shquhet si një vend adhurimi që ka mbijetuar me shekuj.

 

Një nga kishat më të vjetra në Tivar, është Kisha e Shën Nikollës e cila është vetëm 300 metra larg xhamisë "Selimiye", më e madhja e qytetit, që përshkruan natyrën multifetare të qytetit.

 

Kisha është ndërtuar në vitin 1863 dhe është e hapur për adhurim deri më sot, ndërkaq nuk ka asnjë informacion zyrtar se nga kush është ndërtuar.

 

Sipas regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi në vitin 2011, 72,07 për qind e popullsisë së vendit janë ortodoksë, 19,11 për qind janë muslimanë dhe 3,44 për qind janë katolikë.

 

Popullsia e Malit të Zi përbëhet nga malazezët, serbët, boshnjakët, shqiptarët, romët, kroatët dhe grupet tjera më të vogla etnike./AA