Katër fëmijë janë gjetur të gjallë pas më shumë se një muaj pasi avioni i tyre u rrëzua në xhunglën e Amazonës së Kolumbisë, ka thënë presidenti i vendit.
Sipas mediave të huaja mendohen që fëmijët të kenë lidhje familjare si dhe i përkasin përkatësisht moshave 13, nëntë, katër dhe një vjeç, të cilët ishin në bordin e avionit me nënën e tyre, një pilot dhe një bashkëpilot kur ai u rrëzua më 1 maj.
Nëna e tyre dhe të rriturit e tjerë në bordin e avionit humbën jetën, ndërsa të miturit humbën në xhunglën e Amazonës.
Presidenti Gustavo Petro tha se gjetja e fëmijëve pas disa javësh kërkimi ishte “një gëzim për të gjithë vendin”.
Ai e quajti atë një “ditë magjike”, duke shtuar: “Ata ishin vetëm, ata arritën një shembull të mbijetesës totale që do të mbetet në histori.Këta fëmijë janë sot fëmijët e paqes dhe fëmijët e Kolumbisë”.
Petro ndau një fotografi të disa anëtarëve të ushtrisë dhe komunitetit indigjen që kujdeseshin për fëmijët, të cilët ishin zhdukur për 40 ditë.
Fëmijët janë dërguar në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota, ku ambulancat po prisnin për t’i dërguar në spital për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Avioni Cessna 206 me të cilin po udhëtonin fëmijët dhe nëna e tyre përpara përplasjes, po fluturonte nga Araracuara, në provincën Amazonas, për në San José del Guaviare, kur lëshoi një alarm për shkak të dështimit të motorit.
Trupat e tre të rriturve që kishin qenë me ta u gjetën në vendin e rrëzimit nga ushtria.
Informacioni paraprak nga autoriteti i aviacionit civil supozon se fëmijët u shpëtuan nga rrënojat dhe u endën në pyllin e shiut për të gjetur ndihmë, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Filloi një kërkim masiv dhe në maj, shpëtimtarët gjetën sendet e lëna pas nga fëmijët, duke përfshirë një shishe pijeje për një fëmijë, një palë gërshërë, një kravatë flokësh dhe një strehë të improvizuar.
U zbuluan gjithashtu gjurmë të vogla të këmbëve, të cilat i shtynë ekipet e kërkimit të besonin se i kishin mbijetuar përplasjes dhe ishin gjallë në pyllin tropikal, i cili është shtëpia e jaguarëve, gjarpërinjve dhe grabitqarëve të tjerë.
Fëmijët i përkasin grupit indigjen Huitoto dhe anëtarët e komunitetit të tyre shpresonin që njohuritë e tyre për frutat dhe aftësitë e mbijetesës në xhungël do t’u jepnin atyre një shans më të mirë për të mbijetuar.
Njerëzit indigjenë iu bashkuan operacionit të kërkimit dhe helikopterët transmetuan një mesazh nga gjyshja e fëmijëve, të regjistruar në gjuhën Huitoto, duke u kërkuar atyre të ndalonin lëvizjen për ta bërë më të lehtë gjetjen e tyre.