Mike Reiss dhe Alan Estrada, dy persona që udhëtuan në vitin 2022 në bordin e nëndetëses Titan për të parë Titanikun, zbuluan për “Daily Mail” kontratën që nënshkruan për kompaninë OceanGate, organizatore e udhëtimit. Në atë kontratë, kompania ishte e përjashtuar nga çdo përgjegjësi nëse ndodhnin incidente gjatë eksplorimit.

 

Në të, përveç detyrimit për të paguar 250 mijë dollarët që kushtonte bileta, fjala “vdekje” përmendej tre herë vetëm në faqen e parë: “Kjo anije eksperimentale nuk është aprovuar ose certifikuar nga asnjë organ rregullator dhe mund të shkaktojë lëndime fizike, trauma emocionale ose vdekje”.

 

Reiss dhe Estrada ranë dakord se ishte një mision “vetëvrasës”.

 

“Kam firmosur se mund të ketë dështime që mund të shkaktojnë lëndime ose vdekje. Dhe se nuk ishin përgjegjësi e kompanisë. Aty ndjeva se po rrezikoja jetën”, tha Estrada.

 

 

YouTuber-i meksikan sqaroi se, në çdo kohë, ata që firmosnin i dinin mirë kushtet e kontratës: “Ne firmosëm disa faqe, nuk më kujtohet sa, në të cilat shpjegohej secili nga rreziqet, përfshirë edhe humbjen e jetës. Ne që jemi të përfshirë në këto ekspedita e dimë se nuk po shkojmë në një park argëtimi”.

 

Nga ana e tij, skenaristi i The Simpsons ka rrëfyer për BBC se cilat ishin mendimet e tij pasi hyri në nëndetëse: “E përmendin vdekjen tri herë në faqen e parë, kështu që nuk e largon kurrë nga koka atë gjë. Kur po hyja në nëndetëse, mendova se mund të ishte fundi. Pra, ai që merr përsipër këtë iniciativë, e ka marrë parasysh vdekjen”.