Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë vijon të zgjojë kureshtjen e një numri të lartë vizitorësh, duke u cilësuar si një atraksionet kulturore dhe historike më të vizituara në kryeqytet.
“Në muajin maj muzeu u vizitua nga 9,293 vizitorë në total, ose 77% më shumë vizitorë në total në krahasim me muajin maj të vitit 2022 që kishte 5,245 vizitorë në total”, theksoi Muzeu Historik Kombëtar.
Studentë, vizitorë të huaj dhe vendas janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.
Gjatë vitit 2022 Muzeu Historik u vizitua nga 55 306 vizitorë vendas e të huaj, ose 230% më shumë vizitorë në total në krahasim me vitin 2021, ku numri i tyre ishte 16,757.
Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.
Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit), si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve./ATSH