Komiteti i Trashëgimisë Botërore, mbledhur në Sesionin e 46-të të tij në New Delhi, Indi, miratoi sot dy vendimet që kishte në rendin e ditës për qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare të Butrintit dhe Berat-Gjirokastrës.

Në një njoftim për mediet, MEKI bëri të ditur se, projektvendimi për Rajonin e Liqenit të Ohrit është planifikuar për t’u diskutuar në sesionin e vitit të ardhshëm.

MEKI mbështeti pa asnjë rezervë projektvendimet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe Komiteti i TB sapo zyrtarizoi një qëndrim, unanim të konsideruar si shumë objektiv, tërësisht korrekt dhe jashtëzakonisht profesional.

“Fakti që në 90% të pikave përmbajtësore të vendimit për Butrintin mirëpriten dhe mbështeten veprimet e shtetit palë, është shumë inkurajuese. Edhe pika e vetme në të cilën shprehet keqardhje për vonesën e sqarimit të kufijve të pasurisë botërore, reflekton situatën e kohës kur është përgatitur projektvendimi”, shkruhet nga MEKI.

Ndërkohë kjo ministri ka dërguar në Paris paketën e parë të hartave dhe ka marrë komentet paraprake nga Qendra e TB. Grupi teknik i punës po e ndjek me ritëm të lartë këtë detyrë që do të plotësohet sipas një kalendari të dakordësuar me UNESCO-n.

Më tej, MEKI shprehet se, zhvillimet e vrullshme të vendit, nuk tolerojnë asnjë shpërqendrim të vëmendjes, energjive dhe profesionalizmit, jo vetëm të MEKI-t, por edhe të institucioneve të tjera publike, pushtetit vendor, studiuesve dhe gjithë partnerëve të trashëgimisë kulturore./ata