Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky duket se ka konfirmuar se kundërsulmi i shumëpritur i vendit të tij kundër Rusisë ka filluar.

 

“Po zhvillohen veprime kundërsulmuese dhe mbrojtëse”, tha ai.

 

Por ai shtoi se nuk do të fliste në detaje se në cilën fazë apo gjendje ishte kundërofensiva.

 

Komentet vijnë pas një përshkallëzimi të luftimeve në jug dhe lindje të Ukrainës dhe spekulimeve për përparimin e kundërofensivës së shumëpritur.

 

Trupat ukrainase raportohet se kanë avancuar në lindje pranë Bakhmut dhe në jug pranë Zaporizhzhia, dhe kanë kryer sulme me rreze të gjatë ndaj caqeve ruse.

 

Por vlerësimi i realitetit në vijën e parë është i vështirë, me dy palët ndërluftuese që paraqesin narrativa të kundërta: Ukraina pretendon përparim dhe Rusia se po lufton kundër sulmeve.

 

Ndërkohë në rajonin Kaluga të Rusisë – që kufizohet me rrethet jugore rreth Moskës – guvernatori Vladislav Shapsha tha në Telegram se një dron u rrëzua pranë fshatit Strelkovk herët të dielën.

 

Presidenti rus Vladimir Putin tha në një intervistë të publikuar të premten se forcat ukrainase me siguri kishin filluar ofensivën e tyre, por se përpjekjet për përparime kishin dështuar duke shkaktuar viktima.

 

Duke folur në Kiev të shtunën pas bisedimeve me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, Zelensky i përshkroi fjalët e liderit rus si “interesante”.

 

“Është interesante që Putini po fliste për kundërsulmin tonë. Është e rëndësishme që Rusia të ndiejë se nuk i ka mbetur shumë kohë”.

 

Trudeau njoftoi 500 milionë dollarë kanadezë (297 milionë £) në ndihmë të re ushtarake për Ukrainën gjatë vizitës së paparalajmëruar.

 

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar pas bisedimeve tha se Kanadaja mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO “sapo ta lejojnë kushtet”, duke shtuar se çështja do të diskutohej në Samitin e NATO-s në Vilnius, Lituani, në korrik.