Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh në një intervistë ekskluzive me DW, se sipas renditjes organizatave prestigjioze ndërkombëtare, Kosova ka bërë progres

Ai foli se si do ta menaxhojë sfidën aktuale të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kësaj i shtojmë edhe faktin që kemi kaluar me sukses në mbledhjen e ambasadorëve më 24 prill të vitit të kaluar dhe mbledhjen e parlamentarëve më 16 prill të këtij viti, dhe raporti nuk ka parashikuar parakushte apo kushte që nuk i kemi plotësuar. Unë jam optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të muajit maj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.

 

Në lidhje me kontributin e Gjermanisë, Kurti tha:

“Së pari, më duhet të falënderoj deputetët gjermanë që na kanë ndihmuar aq shumë dhe kanë punuar pa kursim e pa rezerva, e në veçanti do të kisha theksuar Frank Schwabe dhe Knut Abraham, të cilët mbajtën fjalim në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill. Por kjo mbështetje e madhe për Republikën e Kosovës me 131 vota për, krahasuar me 29 kundër, 82 përqind në mbështetje të vendit tonë, do të duhej që të reflektohej edhe në Këshillin e Ministrave. Prandaj po punojmë që edhe Gjermania në Këshillin e Ministrave të reflektojë vullnetin e saj pozitiv edhe te të tjerët. Ne po e ndihmojmë Gjermaninë që të na ndihmojë neve dhe në këtë mënyrë Kosova të bëhet anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës”.

Në lidhje me kërkesën e kancelarive evropiane për krijimin e Asosacionit të Komunave me shumicë serbe, Kurti u shpreh se “ne dëshirojmë të eliminojmë disa skepticizma, që mund të ekzistojnë eventualisht deri në mes të muajit maj, por jemi në të drejtën tonë”.

“Mos të harrojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron të drejta të gjera për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Dhe nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe, por gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë. Pra, edhe plani i Ahtisaarit e ka paraparë një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që ka kërkuar Beogradi, si në Bosnjë, që tash edhe faktori ndërkombëtar, evropianët dhe amerikanët, natyrisht që e kundërshtojnë duke pasur parasysh se çfarë pasojash shkaktoi ajo në Bosnjë. Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve”, theksoi ai. /DW/