Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vlerësoi sot se, ardhja e kompanisë “Ryanair” në Shqipëri do të ndikojë edhe më tej në rritjen e konkurrencës, ndërsa është një tregues i fortë për standardet që po arrihen në aeroportin e Tiranës.
“‘Ryanair’ një ndër kompanitë më të njohura low cost në botë, do të nisë operimet e saj edhe nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, fillimisht me 18 destinacione, nga të cilat 9 destinacione të reja. Një mundësi më shumë për të gjithë pasagjerët e që do të ndikojë edhe më tej në rritjen e konkurrencës, por edhe një tregues i fortë për standardet që po arrijmë dita ditës në aeroportin e Tiranës”, tha Kumbaro.
Ministrja theksoi se, “mbi 6 milionë presim të jetë numri i pasagjerëve të përpunuar gjatë 2023”.
Ajo shtoi se, “përmes investimeve të realizuara po krijojmë të gjitha lehtësirat për çdo udhëtarë pa krijuar vonesa”.
“Ndryshimi mes asaj që ishim dhe ku jemi sot është si nata me ditën, por gjithmonë ka akoma punë për të bërë”, shtoi ajo.