Djali i Admir Muratajt, Arbër Murataj, është shoqëruar pak ditë më parë në Policinë e Tiranës për të dëshmuar në lidhje me vrasjen e 19 vjeçarit Stiven Toshkëzi.
Mësohet se ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe nuk ka qenë prezent në momentin e sherrit. Pasi është marrë në pyetje, Arbër Murataj është lënë sërish i lirë ndërsa deklarimet e tij janë referuar në prokurori për vlerësim.
Pse u mor në pyetje Arbër Murataj?
Arbër Murataj është djali i Admir Muratajt, grabitësit që mbeti i vrarë në Rinas. Murataj u shpall në kërkim policor, pasi dyshohej se mes tij dhe viktimës ka pasur një konflikt për një vajzë.
Viktima Stiven Toshkëzi raportohet se e ka marrë në telefon Arbër Muratajn për t’u sqaruar, por për shkak se gjakrat janë nxehur pranë Rrugës së Elbasanit ata janë konfliktuar, duke e lënë të plagosur lehtë Toshkëzin, pa bërë denoncim në polici.
Sakaq, mësohet se Axel Hoxhaj, që vrau disa javë më parë Toshkëzin, rezulton me lidhje familjare me Arbër Muratajn. Për shkak të konfliktit të dy muajve më parë dhe lidhjes familjare me Hoxhajn ai është kërkuar të merret në pyetje.