Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se, “realiteti ekonomik i viteve të fundit ka qenë sfidues, megjithatë, ne kemi arritur të sigurojmë ritme pozitive të rritjes ekonomike, të punësimit e të pagave, kemi bërë progres në drejtim të reduktimit të inflacionit, si dhe kemi ruajtur stabilitetin e përgjithshëm ekonomik dhe financiar”.

Duke marrë fjalën në takimin e Nivelit të Lartë të Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, që po mbahet për herë të parë në Tiranë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave, Ervin Mete, drejtorit Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, Federico Giammusso, drejtorit Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore Matteo Bugamelli, Sejko theksoi se, “Shqipëria e mbylli vitin 2023  me një rritje ekonomike rreth nivelit 3.5%, me një normë papunësie në minimumet e veta historike, si dhe me një borxh të huaj, borxh publik dhe tregues të kredive me probleme, poshtë niveleve që kishin përpara goditjeve”.

Sipas tij, inflacioni u përgjysmua gjatë vitit të shkuar, duke zbritur në nivelin 4%, ndërsa treguesit e shëndetit të sektorit bankar mbeten pozitivë.

Sejko vuri në dukje se një surprizë e vitit 2023 ishte rritja e interesit të të huajve për vendin tonë.

“Shqipëria mirëpriti rreth 10 milionë vizitorë, duke u ngjitur në vendin e tretë në botë për rritjen më të shpejtë të turizmit dhe duke regjistruar për herë të parë në historinë e vet suficit të llogarisë korrente. Gjithashtu, viti 2023 është në rrugë të mbarë për të qenë viti me nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte, duke dëshmuar edhe njëherë atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion investimi”, theksoi Guvernatori.

Guvernatori theksoi se, Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj në këtë histori suksesi.

“Ne kemi adresuar në kohë rritjen e inflacionit, duke nisur rrugën e një normalizimi gradual dhe të kujdesshëm të qëndrimit të politikës sonë monetare. Në koherencë të plotë me të, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar dhe investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e sistemit të pagesave, në inovacionin dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare, kanë kontribuuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e stabilitetit të vendit”, tha ai.

Perspektiva e Shqipërisë vijoi Sejko, mbetet pozitive, teksa nënvizoi se angazhimin e BSH-së përballë sfidave si rritja e ulët e produktivitetit, efektet e plakjes së popullsisë dhe kufizimet e fuqisë punëtore, ndryhsimet klimatike që po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomive të Konstituencës sonë.

“Banka qendrore, duhet të çojmë deri në fund luftën kundër inflacionit. Duhet të këmbëngulim për të rindërtuar në kohë hapësirat fiskale, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për përballimin e goditjeve të ardhshme. Politikat financiare duhet të vazhdojnë të kenë një fokus të dyfishtë:incentivimin e progresit financiar dhe trajtimin e hershëm të rreziqeve si dhe politikat strukturore duhet të orientohen gjithnjë e më shumë drejt nxitjes së rritjes të qëndrueshme”, deklaroi Sejko./ata