Gjatë fundjavës së kaluar, futbollisti argjentinas Lionel Messi u ndalua nga nga kontrolli kufitar kinez, pasi kishte udhëtuar me pasaportën e gabuar.

 

Superylli i futbollit kishte udhëtuar drejt Pekinit me truprojën dhe një numër miqsh, përfshirë bashkëlojtarin Angel Di Maria, përpara miqësores së Argjentinës me Australinë që zhvillohet të enjten.

Megjithatë, teksa mbërriti në kryeqytetin e Kinës, ai u përball me zyrtarët kufitarë të cilët nuk ishin të kënaqur me pasaportën që ai përdorte.

 

Sipas mediave kineze, incidenti ndodhi për shkak se Messi kishte udhëtuar me pasaportën e tij spanjolle në vend të asaj argjentinase.

 

35-vjeçari besohet të ketë përdorur pasaportën spanjolle për shkak se mendonte që Tajvani ishte pjesë e Kinës dhe raportohet të jetë dëgjuar duke i pyetur zyrtarët e kufirit: “Tajvani a nuk është Kina?”.

 

Pasi i informoi zyrtarët kufitarë se nuk e kishte pasaportën argjentinase, iu deshën dy orë që shtatë herë fituesit të Topit të Artë t’i jepej viza, në mënyrë që të zgjidhte çështjen dhe të largohej nga aeroporti.

 

Sprova e fundjavës nuk mbaroi me kaq, pasi – sipas mediave shtetërore kineze më pas Messi u ‘bllokua’ përkohësisht në hotelin ku qëndronte në Pekin së bashku me lojtarët e Argjentinës, meqë një numër i madh tifozësh u mblodhën jashtë për ta takuar atë.

 

Qindra tifozë u përpoqën të hynin përmes hyrjes kryesore të hotelit, ndërsa një tifoz i madh i kampionit të botës shpenzoi mbi 10.000 juanë (1.300 euro) në dhoma, me qëllimin për ta parë idhullin e tij.

.