Një 36-vjeçar është arrestuar pasi gjuajti me automatik në një zonë jashtë qendrave të banuara, në fshatin Mbrakull të Poliçanit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Poliçan, menjëherë pas informacioneve të marra se E. M., kishte kryer qitje me armë zjarri, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Si rezultat është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e 36 vjeçarit, banues në Otllak, Berat.
Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Berat e kanë ndaluar atë teksa drejtonte një automjet, në fshatin Mbrakull, Poliçan, menjëherë pasi kishte kryer qitjen me automatik.
Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte shtetasi E. M., shërbimet e Policisë kanë gjetur armën dhe 4 gëzhoja, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sipas policisë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.