Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi mbrëmjen e djeshme se Forcat e Armatosura serbe kanë kaluar në një nivel më të ulët të gatishmërisë ushtarake për shkak të situatës së krijuar në Kosovë.

 

“Nga gjendja e gatishmërisë më të lartë kemi kaluar në një shkallë më të ulët të gatishmërisë për luftë. Por ende kemi një numër të rëndësishëm të forcave dhe mjaftueshëm që t’i ndihmojmë popullit tonë këtë duhet ta dinë njerëzit” ka thënë Vuçiç në një intervistë për median serbe ‘TVHappy’.

Serbia i vuri forcat e saj të armatosura në gatishmërinë më të lartë luftarake pas dhunës që shpërtheu në veri të Kosovës në maj, pasi kryetarët shqiptarë u futën në disa ndërtesa komunale me shumicë serbe. Popullata lokale serbe në veri të Kosovës bojkotoi zgjedhjet e prillit në të cilat u zgjodhën ata kryetarë komunash.

 

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Prishtinës që të organizojë zgjedhje të reja në zonën me shumicë serbe për të qetësuar tensionet dhe që Serbia të braktisë gatishmërinë luftarake dhe të largojë trupat nga kufiri me Kosovën.

 

Si pasojë e protestave në veri të Kosovës pati përplasje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it, duke plagosur dhjetëra oficerë të cilët ishin para ndërtesave komunale me qëllim për të siguruar kryetarët e rinj të komunave.

 

Duke parë situatën, me urdër të Vuçiç ministri i Brendshëm serb firmosi urdhrin për të zhvendosur të gjitha forcat ushtarake serbe në kufirin me Kosovën në formë presioni për zhvillimet që po ndodhnin në veri.