Shqipëria po zgjeron krahas prodhimit edhe eksportin e vajit të ullirit “Made in Albania”.

 

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se “eksportet e vajit të ullirit janë 4-fishuar gjatë periudhës janar -prill 2023, krahasuar me eksportet vjetore të vitit 2022″.

 

Në një takim me sipërmarrjet e agrobiznesit, që u zhvillua pak ditë më parë në ambientet e MBZHR, Krifca vuri në dukje se, rritja e eksporteve është mbështetur nga nënshkrimi i disa marrëveshjeve të bashkëpunimit për zgjerimin e shitjes së vajit të ullirit në tregun italian dhe europian. Ndërko që MBZHR, theksoi ajo, po vijon të zbatojë strategjinë në mbështetje të fermerëve me subvencione dhe programe të tjera, për uljen e kostos prodhuese dhe rritjen e eksporteve si vlerë e shtuar e ekonomisë”.

 

Pak kohë më parë ministrja Krifca bashkë me homologun e saj italian Francesco Lollobrigida, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për nxitjen e eksporteve të ullirit dhe vajit të ullirit në tregun italian dhe europian. Këto mekanizma dhe të tjerë u ngritën, duke marrë në konsideratë edhe efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat kanë sjellë thatësirë në Spanjë, Itali dhe Francë, duke krijuar kushtet që të rritet konkurrueshmëria e vajit të ullirit shqiptar.

 

Efektet e këtij bashkëpunimi kanë dhënë rezultate të prekshme në rritjen e eksportit të vajit të ullirit, ku vetëm në 4 muajt e parë të 2023 janë eksportuar mbi 1,258 tonë vaj ulliri kundrejt 326 tonëve që u eksportuan gjatë vitit 2022.

 

MBZHR, së bashku me ekspertët dhe sektorin privat, po vazhdojnë bashkëpunimin që prodhimi dhe eksporti i vajit të ullirit të jetë një tjetër histori suksesi e bujqësisë shqiptare.

 

Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2022, prodhimi i vajit të ullirit është 13% më shumë se në vitin 2021. Krahasuar me vitin 2020, prodhimi është shtuar me 42%. Ndërsa në vitin 2021, prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26% më shumë se viti 2020.

 

Sipas statistikave paraprake që përpunon ministria kemi një prodhim prej 29,2 mijë tonësh vaj ulliri dhe rreth 157,7 mijë tonë ullinj, ndërkohë që në vitin 2021 kishim 110 mijë tonë ullinj dhe 25,8 mijë tonë vaj ulliri.

 

Vaji i ullirit shqiptar eksportohet i papërpunuar në Itali dhe me çmim nën kosto.

 

Prodhimi vendas i ullinjve, mbulon nevojat e konsumit në tregut vendas dhe një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi kalon në përpunim për vaj ulliri.

 

Sipas INSTAT, ndaj prodhimit total të ullirit, 79% përfaqësohet nga ullinjtë për vaj dhe 21% nga ullinjtë për tavolinë.

 

Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti i cili tashmë është mjaft i kërkuar për eksport edhe në tregjet europiane.

 

Kultura e ullinjve në Shqipëri është një traditë shekullore, vlera dhe rëndësia e këtij prodhimi vitet e fundit po mbështetet intensivisht edhe nga qeveria.

 

1 milion euro ishte fondi i disbursuar një vit e gjysmë më parë, si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, që mbështet fermerët  për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, për përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit.