Në Zveçan, të martën është sulmuar me gurë ekipi i ATV-së, përderisa po përcillnin zhvillimet e fundit në këtë komunë.

 

Në komunikatën e Asociacionit të Gazetarëve bëhet e ditur se sipas mediumit, disa persona të maskuar, e kanë sulmuar me gurë veturën derisa ishte në lëvizje, e që si pasojë lëndime të lehta trupore kanë marrë gazetari Fatlum Jashari dhe kameramani Blend Thaçi, si dhe iu janë thyer xhamat veturës.

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vazhdon të jetë i shqetësuar për ekipet e medieve që po raportojnë nga veriu i vendit, andaj ju bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare atje të krijojnë kushte më të mira për ta.

 

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe në Zubin Potok.

 

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

 

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe mbi 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.

 

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit. /KosovaPress/