Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon nga kryeministri Albin Kurti, që urgjentisht të bashkërendojë veprimet me aleatët ndërkombëtarë.

 

 

Sipas AAK-së, Kosova nuk ka qenë asnjëherë në situatë më të rëndë.

 

“Kosova asnjëherë nuk ka qenë në situatë më të rëndë politike, diplomatike dhe të sigurisë sesa sot. Kërkojmë nga kryeministri Kurti që urgjentisht t’i bashkërendojë veprimet me aleatët ndërkombëtarë, me ShBA-të në veçanti, para se gjendja të eskalojë e të marrë kahje edhe më të rëndë”, shkruhet në komunikatën e AAK-së.

 

 

Reagimi i partisë së Ramush Haradinajt vjen pasi u bë e ditur se është anuluar mbledhja e dy qeverive, e cila ishte planifikuar të mbahej nesër në Gjakovë.

 

Anulimi i saj u njoftua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një konference të jashtëzakonshme për media ku tha se i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti një tjetër format takimi.

 

Pas kësaj konference, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se mbledhja është anuluar në mënyrë të njëanshme nga Rama.

 

“Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.