Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u takua me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, me të cilin ka biseduar për situatën në veri të Kosovës.
Lajçak ka deklaruar se ata janë pajtuar për nevojën e ndërmarrjes së hapave për të depërshkallëzuar situatën në pjesën veriore të Kosovës.
“Ishte e dobishme të takoja zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, për të diskutuar për situatën në veri të Kosovës. U pajtuam se duhet të ndërmerren hapa për depërshkallëzimin e menjëhershëm. Këtë e theksova edhe kur iu drejtova ambasadorëve të NATO-s”, ka shkruar diplomati sllovak.
Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.
Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri./KosovaPress/