Pavarësisht se janë vetë viktima të tërmetit, mësuesit në rajonet e prekura nga tërmetet në Türkiye po bëjnë përpjekje të mëdha për të vazhduar mësimin në mënyrë që të mos anashkalohet asnjë nxënës

 

Ndërtesat e shkollave u dëmtuan gjithashtu në tërmetet e 6 shkurtit që goditën rajonin jugor të Türkiye-s dhe institucionet arsimore u mbyllën në mbarë vendin për më shumë se dy javë.

 

Përderisa shumë qendra mësimore janë rihapur që atëherë, mësimet po vazhdojnë edhe në shkollat-tenda të ngritura nga vullnetarët dhe autoritetet në zonën e goditur nga tërmeti.

 

Hatice Kübra Kurt, një mësuese e gjuhës dhe letërsisë turke në qarkun Islahiye të provincës Gaziantep, tha për Anadolu se mësimet vazhdojnë në shkollat-tenda, ose banesa të improvizuara.

 

"Ne jemi vendas dhe banojmë në Islahiye. Si të gjithë të tjerët në këtë qytet, ne jetojmë në tenda. Prandaj të qenit me fëmijë është psikologjikisht e shëndetshme për ne, ne jemi duke shëruar plagët e njëri-tjetrit", tha ajo.

 

Kurt u shpreh se orët e shkollës fillore fillojnë në mëngjes, ndërsa shkolla e mesme vijon orët pasdite.

 

"Këtu, ne bëjmë çmos për të bashkëvepruar me ta një për një. Ata aktualisht kanë probleme të përqendrohen pasi fëmijët tashmë janë prekur nga tërmetet. Ne filluam me nivele më të larta aktiviteti për t'i ndihmuar fëmijët të përqendrohen sa më shumë që të jetë e mundur, dhe pastaj u përpoqëm të përqendroheshim në mësimet tona, në mënyrë që ata të mund t'i riktheheshin jetës së tyre të zakonshme në shkollë, me mësime të përsëritura", tha Kurt.

 

Ajo thekson se shumë njerëz ofruan ndihmë financiare dhe morale, ndërsa shumë të tjerë vijnë vullnetarisht për të punuar.

 

"Ata na ndihmojnë. Kështu po zhvillohen gjërat aktualisht. Fëmijët nuk mund ta kuptojnë plotësisht skenarin, sepse në të njëjtën kohë ka shumë njerëz në këtë vend. Po kalojmë nëpër një proces", shtoi Kurt.

 

Ajo tha se çdo ditë nuk është e njëjtë dhe numri i nxënësve ndryshon, por askush nuk është i detyruar të jetë pjesë e mësimeve.

 

"Ata duan të ndjekin mësimet, por edhe ngjarjet që zhvillohen jashtë. Ata vullnetarisht vijnë dhe largohen, ne nuk i kërkojmë dhe nuk mund t'i detyrojmë", tha ajo.

 

Kurt sqaron se nuk kanë mundësi të komunikojnë me prindërit dhe se pas vendosjes nëpër tenda, nuk e dinë lokacionin e saktë të banimit të nxënësve.

 

"Kur ata mbërrijnë, ne hapim dyert dhe kthehemi në shtëpitë tona, në tenda, pas përfundimit të mësimit", tha ajo.

 

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë goditën 11 provinca turke, duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz.

/AA