Presidenti rus Vlladimir Putin ka deklaruar se Rusia ra dakord për zgjatjen e Iniciativës së Drithërave të Detit të Zi disa herë, por tani po konsideron një tërheqje nga marrëveshja.
Duke folur në një takim me korrespondentët ushtarakë në Moskë, Putin tha se Rusia është “mashtruar edhe një herë” dhe “asgjë nuk është bërë” për të zbatuar pjesën e saj të marrëveshjes.
"Tani po mendojmë se si mund të largohemi nga kjo marrëveshje e drithit. Këto korridore përgjatë të cilave anijet kalojnë, përdoren vazhdimisht nga armiku për të lëshuar drone, drone detare", tha Putin.
Sipas tij, një nga korridoret u përdor të hënën për të sulmuar anijen që ruante gazsjellësin e "Rrjedhës Turke".
Türkiye, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshjen në Istanbul korrikun e vitit të kaluar, me qëllim për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi që u ndërprenë pas fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar.
Moska e ka lidhur përfshirjen e Bankës Bujqësore Ruse në sistemin e pagesave SWIFT për të zgjatur më tej marrëveshjen, por ajo gjithashtu është ankuar se marrëveshja po dështon në përmbushjen e premtimit për të liruar eksportet bujqësore ruse që janë bllokuar për shkak të sanksioneve perëndimore.
Më tej, presidenti rus po ashtu tha se është në interesin e Rusisë të mbajë marrëdhënie të mira me "vendet miqësore" në Afrikë dhe Amerikën Latine. "Ne nuk po e bëjmë këtë për Ukrainën, po e bëjmë për vendet miqësore në Afrikë dhe Amerikën Latine, sepse drithërat duhet të arrijnë atje para së gjithash, t'u shërbejë vendeve të varfra të botës", tha Putin.
Të ardhurat nga eksportet e drithërave Putin i quajti burim kryesor i të ardhurave aktuale të Ukrainës në valutë të huaj, pasi "çdo gjë tjetër u shkatërrua".
"Ata (BE-ja) janë përfituesit kryesorë të drithit ukrainas. Është më lirë, është mirë për ta dhe Ukraina paguhet para për të. Deri më sot, mund të gaboj, por më duket se ky është burimi kryesor i të ardhurave në valutë të huaj për Ukrainën. Çdo gjë tjetër praktikisht është shkatërruar", tha Putin.