Kaluan 76 vite nga ekzekutimi i katër anëtarëve të Lëvizjes Juxhel, nga ana e regjimit komunist në ish-Jugosllavi, të cilët ishin mbledhur për t’i ruajtur dhe mbajtur të gjalla vlerat fetare dhe kombëtare si dhe adetet dhe traditat e turqve në vend nga regjimi komunist.
Bija e Hüsamettin Mehmet "Vardar", një nga anëtarët e Juxhelëve i cili ndërroi jetë në vitin 2002, Gülser Klinçe, në një intervistë për Anadolu rrëfen për jetën e babait të saj, aktivitetet që ka bërë në kuadër të lëvizjes dhe kohën kur ka qëndruar në burg.
Ajo shpjegoi se anëtarët e Lëvizjes Juxhel, përfshirë babain e saj që ka qenë arsimtar, kanë iniciuar formimin e shumë organizatave nga arsimi e në art, përfshirë Gazetën "Birlik", Radio Shkupin - progami në gjuhën turke, Teatrin Turk, Klubin Futbollistik "Şar", Shkollën Fillore "Tefeyyüz" si dhe Shkollën për vajza "Irfan".
Duke kujtuar se babai i tij ka shërbyer si ushtarak në Zagreb nga viti 1946 deri në fillim të vitit 1948, kur nisën të gjykoheshin Juxhelët, Klinçe tha se me fillimin e gjykimeve, gjyshi i saj i sugjeroi të birit që pas shërbimit ushtarak të ikë direkt në Türkiye, por që babai i saj nuk ka dashur t'i linte vetëm miqtë e tij.
Klinçe tha se babai i saj u arrestua me nxitim kur u kthye në Shkup pas kryerjes së shërbimit ushtarak në maj të vitit 1948, duke theksuar se prej tij nuk është dëgjuar asnjë lajm për muaj të tërë dhe më pas ka filluar gjyqi kundër tij, duke marrë një dënim fillestar prej 7 vjet e 6 muaj burg, e më pas dënimi i ishte ulur në 6 vjet burg.
"Juxhelët asnjëherë s'kanë qenë organizatë terroriste"
Ajo më tej thotë se Lëvizja Juxhel ishte akuzuar nga ish-Jugosllavia si një organizatë terroriste. "Juxhelët asnjëherë s'kanë qenë organizatë terroriste", tha ajo duke vazhduar:
"Ata as armë s'kanë pasur. Babai im as pulë nuk dinte të therte, aq ishte i panjohur me gjëra të tilla. As armë, asgjë. Kanë hapur shkolla, radio. Falë tyre janë luajtur vepra në gjuhë turke në Teatër vetëm e vetëm për të mbajtur gjallë turqizmin, gjuhën turke. Gjithë këto janë bërë falë një grup shokësh. Ata nuk kishin frikë. Ata donin të tregonin se kishin të drejtë në qëllimet dhe kauzat e tyre. Ky ishte qëllimi i tyre".
Ajo thekson se anëtarët e lëvizjes kanë bërë punime në drejtim të kontribuimit të zhvillimit socio-kulturor të turqve edhe gjatë qëndrimit në burg. "Şerafettin Yücel, Refik Özer dhe Hüsamettin Vardar kanë përkthyer në turqisht veprën teatrale të Branisllav Nushiqit 'Personi i Dyshimtë' për Teatrin Turk të Shkupit i cili u themelua në vitin 1950. Gjithashtu kanë pasur punime për një fjalor turqisht-maqedonisht", tha ajo.
Klinçe shpjegon se nëpërmjet dokumenteve të siguruara nga arkivi, babai i saj kishte shkruar shumë herë në burg duke kërkuar amnisti, por se kërkesat e tij nuk ishin pranuar nga autoritetet e kohës për arsye të tilla si "turk i madh", "karakter armiqësor", "rrezik social" dhe të tjera.
Duke vënë në dukje se shumica e anëtarëve të organizatës dhe familjet e tyre migruan në Türkiye si rezultat i presioneve të regjimit jugosllav të asaj periudhe, Klinçe tha se disa familje, si babai i tij dhe miku i tij Mustafa Ruşid, kanë qëndruar këtu.
Pretendimet rreth vendit të ekzekutimit të katër anëtarëve të Lëvizjes Juxhel
Klinçe tha se edhe sot ka shumë pretendime rreth vendit të ekzekutimit të katër anëtarëve të Juxhel. "(Vendi ku janë ekzekutuar 4 Juxhelët) Sipas asaj që unë së fundmi e dëgjova është fshati Cumali (Lozovë) në Maqedoninë Lindore. Këtë e mësova para disa muajsh. Më tregoi xhaxhai i një mikut, edhe ai ka qenë pjesë e Juxhelëve. Por, nuk e di vallë është e vërtetë ose jo. Shumica thonë se është këtu në Güreler (Konjare, një fshat afër Shkupit)", thotë ajo.
Ajo tha se babai i saj ka kryer shumë punime për të kontribuar në gjuhën turke deri në vdekjen e tij në vitin 2002, dhe kujtoi se ka punuar si përkthyes, veçanërisht në Kuvendin e Maqedonisë dhe në përkthimin e librave shkollorë në vend në turqisht.
Duke thënë se deri në vitet 2000 nuk flitej për Juxhelët, Klinçe i cilësoi si të pamjaftueshme punimet e bëra në këtë drejtim vitet e fundit. Klinçe shtoi se synon të shkruajë një libër që do të tregojë për jetën dhe veprën e babait dhe nënës së saj, duke shtuar se synon t'i mbledhë shkrimet e tyre në një vend dhe se duhet t'i jepet merita anëtarëve të Lëvizjes Juxhel.
Juxhelët
Turqit muslimanë që jetonin në Maqedoni në vitin 1937 filluan të mblidhen për t’i ruajtur dhe mbajtur të gjalla vlerat kombëtare dhe shpirtërore si dhe adetet dhe traditat.
Në vitin 1945, organizata mori emrin "Juxhel" ndërsa detyrën e kryetarit e mori Shuajb Aziz Efendiu, i cili mësimet i kishte marrë në Medresenë e Ataullah Efendiut në Shkup ndërsa më pas në Universitetin El Ezher në Egjipt në degën e fikhut, kelamit, tasavvufit dhe filozofisë perëndimore.
Gjersa lëvizja akuzohej nga qeveria jugosllave e kohës për shkak të shqetësimit nga zhvillimet "për organizimin e turqve që jetonin në Maqedoni kundër Republikës Popullore të Maqedonisë duke krijuar një lëvizje terroriste-spiune dhe përgatitjen e një aksioni për ndryshimin dhe prishjen e rendit shtetëror", në kuadër të përpjekjeve të eliminimit të të gjitha lëvizjeve nacionaliste në Jugosllavi, në vitin 1947 janë u arrestuan 17 anëtarë të lëvizjes ndaj të cilëve filloi gjykimi.
Seancat ndaj anëtarëve të arrestuar të lëvizjes u mbajtën më 19 janar 1948. Thuhet se avokatët e caktuar nga qeveria në atë kohë nuk mundën të mbronin nga frika e burgimit, ndërsa të arrestuarit nuk mund të caktonin avokat. Për këta persona gjykata mori vendim më 25 janar 1948. Ky vendim për publikun është bërë i ditur nga altoparlantët nga sheshi i qytetit të Shkupit.
Shuajb Aziz, Ali Abdurrahman, Nazmi Omer Jakup dhe Adem Ali të cilët u dënuan me vdekje pas një gjykimi të simuluar, u pushkatuan në një fshat në rrethin e Shkupit më 27 shkurt 1948. Sot e asaj dite ende nuk dihet vendi i varrimit të 4 anëtarëve të ekzekutuar të Lëvizjes Juxhel.
Të arrestuarit e tjerë të Lëvizjes Juxhel u dënuan me burg nga 8 deri në 20 vite. Pas këtyre gjykimeve, shumë anëtarë të Lëvizjes Juxhel u dënuan me burgim nga 1 deri në 9 vjet dhe syrgjynosje nga 1 deri në 4 muaj, në kuadër të grupit të dytë dhe të tretë të paraburgimit dhe syrgjynosjes nga qeveria jugosllave. Anëtarët e lëvizjes të liruar nga burgjet kanë deklaruar se i janë nënshtruar llojeve të ndryshme të torturave./aa