Ndotje e lartë mjedisore në impiantin e ujërave të ndotura në Shënavlash të Durrësit.

 

 

Për të shmangur dëmtimin e rëndë të këtij impianti është bërë ndërprerja e punës në të, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbuluar përgjegjësit e kësaj ndotjeje. Njoftimi është dhënë nga Ujësjellës Kanalizimet e Durrësit që kërkojnë ndërhyrjen e shpejtë të autoriteteve për këtë ngjarje të rëndë mjedisore.

 

Sipas shoqërisë rajonale të Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD), mëngjesin e sotëm në linjën e pranimit të Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Shënavlash është konstatuar ndotje e lartë mjedisore. Mbetje të shumta me bazë hidrokarbure kanë lëvizur nëpërmjet kanalizimeve të ujërave të ndotura të qytetit duke përfunduar tek impianti i trajtimit. Ndotja është e përmasave shumë të mëdha dhe ka shkaktuar dëmtime tek disa prej pajisjeve të impiantit. Në kushte të tilla puna në impiant është ndërprerë deri në pastrimin e plotë të këtyre mbetjeve. Mendohet se sasia e mbetjeve është hedhur në kanalizimet e zonës së Plazhit pranë stacionit të pompimit nr 6 dhe më pas ka ardhur në stacionin fundor nr 9 dhe që andej në impiantin e  Shënavlashit. Për këto arsye SHRUKD ka njoftuar IKMT, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Policinë e Shtetit për këtë ngjarje. Pranë impiantit kanë ardhur inspektorë të këtyre institucioneve, të cilët kanë parë shkallën e ndotjes dhe kanë bërë akt-konstatimin e rastit të shoqëruar edhe me foto për të vazhduar me procedurat e mëtejshme.

 

 

Sipas specialistëve ka pasur edhe në të kaluarën ndotje të tilla mjedisore, por jo në përmasa kaq të mëdha si kjo që është konstatuar ditën e sotme. “SHRUKD kërkon nga instancat përkatëse gjetjen e autorëve që kanë shkaktuar këtë ndotje me pasoja të mëdha për Impiantin dhe ekosistemin e zonës.”