Presidenti turk, Recep Tayyip ErdoÄŸan, ka deklaruar se nëse pritet që Türkiye t’i përgjigjet pritjeve të Suedisë për anëtarësim në NATO, atëherë Stockholmi duhet ta bëjë pjesën e saj për organizatën terroriste para samitit të NATO-s.

 

"Samiti i NATO-s do të mbahet në Vilnius. Shpresojmë, nëse nuk ndodh diçka e jashtëzakonshme, unë do të marr pjesë. Pritjet e Suedisë, nuk do të thotë se ne do të pajtohemi me këto pritje. Para së gjithash, Suedia duhet ta bëjë pjesën e saj", tha ErdoÄŸan.

 

Komentet e tij erdhën gjatë kthimit nga turneu i tij i parë jashtë vendit pas rizgjedhjes, gjegjësisht në Republikën Turke të Qipros Veriore dhe Azerbajxhan.

 

ErdoÄŸan rikujtoi se në fillim të qershorit zhvilloi një takim në Istanbul me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

 

"Ajo që ne i thamë ishte se ‘nëse prisni që ne t’i përgjigjemi pritjeve të Suedisë, para së gjithash, Suedia duhet ta shuajë atë që ka bërë kjo organizatë terroriste’. Derisa ne ia shprehnim këto Stoltenberg-ut, fatkeqësisht terroristët po demonstronin sërish në rrugë në Suedi", tha presidenti turk.

 

Në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, presidenti turk i bëri thirrje Suedisë të rrisë forcat policore për të parandaluar terroristët e PKK-së të veprojnë në Suedi.

 

"Çfarë bëjnë forcat e policisë… detyra e policisë është t’i ndalojë ata. Tani ka të drejta që u jepen forcave të policisë në ligje dhe kushtetutë. Përdorni këto të drejta. Ju nuk i përdorni këto të drejta, pastaj na thoni ‘ejani dhe merrni Suedinë në NATO’", tha ErdoÄŸan.

 

Presidenti turk theksoi se kryekëshilltari i tij, Akif ÇaÄŸatay Kılıç, sot do të kryesojë një mbledhje ku do të japë mesazhin, siç tha ai, "ky është mendimi i presidentit tonë, padyshim mos prisni asgjë ndryshe në Vilnius".

 

Takimi i katërt për një mekanizëm të përbashkët të përhershëm midis Türkiye-s, Finlandës, Suedisë dhe NATO-s filloi sot në kryeqytetin turk Ankara.

 

Takimi vjen para se liderët e NATO-s të mblidhen në një samit në Vilnius të Lituanisë, më 11-12 korrik.

 

Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi një luftë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

 

Megjithëse Türkiye miratoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, ajo pret që Suedia t’i përmbahet një memorandumi trepalësh të nënshkruar qershorin e kaluar në Madrid për të trajtuar shqetësimet e sigurisë së Ankarasë për terrorizmin.

 

Në muajin nëntor, Suedia miratoi një ligj kundër terrorizmit duke shpresuar se Ankaraja do të miratojë aplikimin e Stokholmit për t’u bashkuar me NATO-n. Ligji i ri, i cili hyri në fuqi nga 1 qershori, lejon autoritetet të ndjekin penalisht individët që mbështesin grupet terroriste.

 

Disa ministra të jashtëm shpresojnë se Türkiye do ta miratojë aplikimin e Suedisë para samitit të NATO-s të muajit të ardhshëm./AA