Shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet e mëdha shkatërruan Slloveninë të premten, duke vrarë të paktën tre persona.

 

Agjencia sllovene e mjedisit ngriti alarmin e motit në nivelin më të lartë pasi sasia e një muaji të shiut ra brenda 24 orëve në pjesët veriore, veriperëndimore dhe qendrore të vendit të vogël evropian.

 

Autoritetet urdhëruan evakuimin e disa mijëra njerëzve në pjesë të qytetit të Celjes përgjatë lumit Savinja, duke përfshirë zonën e qytetit të vjetër.

 

Rajoni Koroska i Sllovenisë veriore, në kufi me Austrinë, u godit më rëndë, me ura dhe rrugë të shkatërruara dhe furnizim me ujë të ndërprerë në disa zona.

 

Autoritetet lokale i kërkuan qeverisë austriake që të jetë gati për të ofruar kujdes spitalor për sllovenët, nëse është e nevojshme. Policia sllovene i tha agjencisë zyrtare të lajmeve STA se tre persona kanë vdekur që nga koha kur filloi moti ekstrem të enjten në mbrëmje.

 

Fotot në mediat lokale treguan makina të zhytura, rrugë të plasaritura dhe fshatra të tëra të përmbytura. Ekipet e shpëtimit mund të shiheshin duke transportuar fëmijë nga një kopsht fëmijësh i bllokuar ndërsa helikopterët evakuonin  njerëzit nga çatitë e shtëpive të tyre të përmbytura.

 

Ekspertët thonë se kushtet ekstreme të motit janë shkaktuar pjesërisht nga ndryshimet klimatike. Disa pjesë të Evropës panë nxehtësi rekord dhe luftuan me zjarret gjatë verës.

 

Rreth 16,000 familje mbetën pa energji elektrike. Moti i keq gjithashtu ndërpreu shërbimet hekurudhore dhe banka kryesore e vendit, tha se zyrat e saj në zonat e goditura nga përmbytjet do të mbeten të mbyllura.

 

Administrata për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën ndaj Fatkeqësive regjistroi më shumë se 1000 incidente të lidhura me motin brenda 12 orëve në të gjithë vendin, tha STA.