Sipas zyrës së statistikave të Bashkimit Evropian (Eurostat), vitin e kaluar një në pesë qytetarë të bllokut ka jetuar nën rrezikun e varfërisë ose përjashtimit social.

 

“Në vitin 2022 gjithsej 95,3 milionë njerëz në BE apo 22 për qind e popullsisë së përgjithshme ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social”, njoftoi Eurostat.

 

Sipas statistikave, të jetosh në një familje që përjeton të paktën një nga tre rreziqet kryesore, respektivisht atë të varfërisë, privimit të rëndë social dhe material ose intensitetit shumë të ulët të punës, konsiderohet të jetë në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.

 

“Kjo shifër mbeti relativisht e qëndrueshme pasi një vit më parë ishte 95,4 milionë”, tha Eurostat.

 

Midis 27 vendeve anëtare të BE-së, Rumania me 34 për qind ka përqindjen më të lartë të popullsisë që përballet me varfërinë ose përjashtimin social, duke u pasuar nga Bullgaria me 32 për qind, si dhe nga Greqia dhe Spanja me nga 26 për qind.

 

Nga ana tjetër, Republika Çeke, Sllovenia dhe Polonia regjistruan përqindjen më të ulët të popullsisë në privim me përkatësisht 12 për qind, 13 për qind dhe 16 për qind./ATSH