Ministria e Arsimit ka lëshuar një seri udhëzimesh, që nxisin dhe rregullojnë aftësimin profesional të mësuesve. Por teksa moria e rregullave rritet dhe numri i nxënësve ulet, arritjet mësimore kanë shënuar ulje drastike në testet ndërkombëtare PISA 2022. Mësuesit në arsimin parauniversitar i pohuan “Monitor” se, reformat në arsim të viteve të fundit kanë zhvendosur fokusin nga mësimdhënia në plotësimin e barrës së dokumenteve. Mësuesit pohojnë se trajnimet, në të shumtën e rasteve, kanë humbur efektivitetin, teksa shkollat kanë nevojë për pajisje mësimore, laboratorë dhe teknologji për të zhvilluar mësimin. Mësuesit kërkojnë reformë të thellë në arsim, që nga universitetet që nxjerrin mësues dhe paga mujore që duhet të arrijë në 1 mijë euro neto. Në vitet 2012 dhe 2023, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ka rënë me 42%, por cilësia, në vend që të rritet, ka rënë më tej. Propozimet e mësuesve…
Sistemet arsimore në vend tani janë në një fazë intensive të përgatitjes së vitit të ri shkollor 2024-2025. Ministria e Arsimit ka lëshuar një sërë udhëzimesh që rregullojnë më tej profesionin e mësuesit dhe, nga ana tjetër, numri i nxënësve në shkolla ka pësuar rënie, duke krijuar hapësira për rritjen e cilësisë.
Të dhënat e Cens 2023 kanë zbuluar se numri individëve +6 vjeç që ndjekin arsimin parauniversitar ishte 317,213 nxënës, ose 42% më i ulët se regjistrimet në vitin 2012. Numri i mësuesve ka mbetur i njëjtë dhe fondet për arsimin së paku kanë mbetur në nivelin 3% PBB.
Me gjithë uljen e ngarkesës mësimore, ndryshimin e kurrikulës dhe reformat rregullatore, cilësia në arsimin shqiptar ka rënë me shpejtësi në dekadën e fundit, sipas rezultateve ndërkombëtare të testit PISA.
Nga viti 2018 deri më 2022, aftësitë e nxënësve shqiptarë në matematikë, krahasuar me programin PISA 2018, pësuan rënie prej 69 pikësh, rënia më e lartë ndër 80 shtetet e testuara.
Edhe në lexim, krahasuar me rezultatet e 2018-s, rënia është 47 pikë. Aftësitë e nxënësve në shkencë ranë me 41 pikë në 2022, krahasuar me rezultatet e PISA 2018.
Nisur nga këto rezultate, Ministria e Arsimit, gjatë vitit të fundit, ka lëshuar një seri udhëzimesh që synojnë zhvillimin profesional të mësuesve. Udhëzimi i muajit korrik 2013 për Zhvillimin Profesional të Mësuesve autorizon që të gjithë mësuesit në arsimin parauniversitar duhet të kenë së paku 10 kredite të detyrueshme në vit, të cilat duhet të merren kundrejt pagesës.
Gjithashtu, për çdo shkollë, do të ketë një mësues koordinator, me funksione të ngjashme si të drejtorit të shkollës.
Mësuesi koordinator do të jetë mbikëqyrësi kryesor i ecurisë së planeve mësimore dhe zbatimit të strategjive në arsim.
Por një seri mësuesish në arsimin parauniversitar në të gjithë vendin pohuan për “Monitor”, se politikat e Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e aftësive nuk janë efektive. B. S., që jep lëndë shoqërore në një gjimnaz në Pogradec, pohoi se barra rregullatore ka rritur ngarkesën jomësimore te mësuesit, duke zhvendosur vëmendjen nga misioni kryesor mësimdhënia.
“Së paku dy orë në ditë na duhet të plotësojmë dokumentacion që nuk ka lidhje me planin mësimor dhe mësimdhënien. Hedhja e notave dhe mungesave në SMIP bëhet jashtë orëve të qëndrimit në punë, pasi shkolla nuk ka kompjuter.
Veç kësaj, notat dhe mungesat duhet të hidhen edhe në letër, pasi i duhen drejtorisë së shkollës për analizat e saj”, tha mësuesja me përvojë 20-vjeçare në sistemin mësimor.
Sipas saj, vitet e fundit, mësuesi është ngarkuar me plotësim dokumentacioni, duke e zhvendosur atë nga misioni kryesor.
Mësuesi B. Muslia, i cili jep lëndën e Biologjisë dhe Kimisë në Bashkinë e Kukësit, tha se në shkollat e zonave rurale të vendit mungojnë tërësisht mjetet mësimore, për laboratorë të fushës natyrore, dhe fushës shoqërore.
Gjithashtu, kushtet dhe mjedisi ku zhvillohet mësimi janë të tërësisht të papërshtatshme. Përdorimi i teknologjisë në shkolla është i domosdoshëm për rritjen e aftësive të nxënësve, – tha ai.
Teksa zbatimi i kurrikulës në Shqipëri kërkon laboratorë dhe teknologji, shkollave shqiptare ju mungon infrastruktura bazë. Një vrojtim i PNUD (programi i Kombeve të Bashkuara) në shkollat e 12 bashkive që u prekën nga tërmeti në vitin 2019, gjeti dobësi të mëdha në infrastrukturën elementare të shkollave.
Në shumicën e shkollave mungonte infrastruktura bazë – uji, ndriçimi dhe shkollat nuk kanë sistem të ngrohjes dhe ftohjes.
Mësuesja Irma Marku, e cila jep mësim në një nga gjimnazet e Tiranës, tha se reformat në arsim janë sipërfaqësore, synojnë fasadën dhe realisht nuk po prekin thelbin e sistemit që synon rritjen e aftësive. Trajnimet, më së shumti, janë formale dhe po shndërrohen në biznes për agjencitë.
Ajo tha se duhet një reforma e thellë që të përfshijë, që nga investimet në universitet dhe në të gjithë kapilarët e infrastrukturës fizike dhe burimeve njerëzore në shkolla, të tilla si mjete pune, laboratorë dhe paga më të mira për mësuesit.
Vrojtimi i PNUD i formuluar në raport referoi se nuk ka standarde dhe protokolle në fuqi për funksionimin dhe mirëmbajtjen e objekteve arsimore, as në nivel qendror e as në nivel lokal.
Plani i ri për zhvillimin profesional të mësuesve
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka prezantuar një plan të ri të shprehur me udhëzime, në të cilat synohet zhvillimi profesional i Mësuesve dhe Sistemi i ri i Karrierës.
Duke shpjeguar publikisht këtë reformë, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka shpjeguar se plani mbështetet në tri shtylla kryesore:
Korniza e Karrierës, Zhvillimi i Vazhdueshëm Profesional dhe Kualifikimi i Mësuesve.
Sistemi i ri i shkallëve të kualifikimit të mësuesve do të jetë i orientuar te mësuesit në vitet e para të karrierës. Mësuesit, të cilët hyjnë në sistemin tonë arsimor, do të mbështeten për të arritur gradën ‘Mësues i kualifikuar’ në tre vitet e para të karrierës së tyre. Kemi ulur kohën për të përfituar këtë shkallë kualifikimi, ka shpjeguar Manastirliu.
“Përfitimi i kësaj grade do të jetë me dy elemente: Me një test të informatizuar dhe gjithashtu me orë mësimore.
E dyta është shkalla e kualifikimit për ‘Mësues specialist’, të cilat do të jenë në vitin e 8 të punës së mësuesit, ku do të kemi orën e hapur kurrikulare, pra orë mësimore për projekte që do të japin këtë kualifikim te mësuesit.
Në vitin e 15-të kemi kategorinë e ‘Mësuesit Mjeshtër’, ku do të vijojnë trajnimi dhe edukimi në vazhdim, orët e hapura kurrikulare dhe inovacioni për përfitimin e kësaj shkalle të kualifikimit.
Kemi rritur dhe masën e shpërblimit për të tria këto kategori, duke filluar nga shkalla e kualifikimit që është ‘Mësuesi i kualifikuar’ dhe shkalla e dytë ‘Mësuesit specialist’, ku masa e shpërblimit dyfishohet, dhe për të vijuar te shkalla e tretë ‘Mësuesi Mjeshtër’, ku masa e shpërblimit rritet me 50%”, tha Manastirliu.
Viti i ri shkollor 2025-2026 fillon me disa funksione të reja në shkolla: Mësuesi koordinator për vlerësimin e cilësisë dhe mësuesi koordinator për orientimin e karrierës, që do të jetë mentori i nxënësve për t’i orientuar ata në rrugën e mëtejshme të formimit arsimor.
Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Arsimit, mësuesit kordinatorë duhet të punojnë ngushtë me stafin drejtues të shkollës për të ndjekur ecurinë dhe zhvillimin e trajnimeve dhe rolin e mësuesit koordinator për orientimin e karrierës.
Ministria e Arsimit përllogarit se do të jenë mbi 800 mësues brenda sistemit që do të përzgjidhen për të kryer koordinatorin sipas shkollave dhe grup shkollave, në varësi të grupit të nxënësve që do të orientojnë këto dy zhvillime të rëndësishme brenda shkollës dhe që i vlejnë në mënyrë direkte sistemit.
“Monitor” u konsultua me së paku 10 mësues që punojnë aktualisht në sistemin arsimor parauniversitar, ku të gjithë vlerësuan se këto masa nuk ndikojnë për rritjen e cilësisë te nxënësit. Për mësuesen Irma Kurti duhen ndërhyrje thelbësorë para se të jetë vonë. Së pari, sipas saj, duhet të niset me reforma në universitet në degët që lidhen me mësuesinë.
Duhet të jepen bursa, të rritet mesatarja e pranimit në këto degë dhe më tej të rritet paga e mësuesit në mënyrë që ky profesion të përthithet nga burime njerëzore me kualitet.
Për shkak të politikave të gabuara që janë ndjekur vitet e fundit me burimet njerëzore në arsim është bërë një dëm i madh në sektor, që vështirë të riparohet, tha Marku
Eksperti i çështjeve arsimore, Ndriçim Mehmeti, tha se udhëzimi i ri për zhvillimin profesional të mësuesve dhe në përmbajtje, sjell skllavërimin e tyre. Eksperti shikon si problematikë disa pika të udhëzimit: p.sh. mësuesit duhet të marrin 10 kredite, me shpjegime, kaq të ngatërruara, se në cilat fusha duhet t’i kenë.
“Funksioni i mësuesit koordinator të cilësisë do të jenë çekani mbi kokë i çdo mësuesi, duke marrë më shumë fuqi, se drejtori i institucionit arsimor. Pra, me pak fjalë: Kreditet do të paguhen, mësuesi koordinator do të jetë i plotfuqishmi i shkollës, i cili do të hyjë sa herë t’i teket në orën e mësimit të çdo mësuesi dhe drejtori i shkollës do të ketë çelësat e kashtës”, tha z. Mehmeti.
Sipas udhëzimit që lëshoi Ministria e Arsimit për zhvillimin profesional të mësuesve, punonjësit arsimorë kanë detyrimin të trajnohen të paktën tri ditë në vit.
Tri ditë trajnimi nënkuptojnë 10 kredite, një nga aktivitetet e zhvillimit të vazhdueshëm profesional në vit. 80% e krediteve (8 kredite) duhet të jenë nga aktivitetet e zhvillimit të vazhdueshëm profesional të akredituara nga ASCAP-i në nivel kombëtar dhe 20% e krediteve (2 kredite) duhet të jenë nga aktivitete të zhvillimit të vazhdueshëm profesional të organizuara nga rrjetet profesionale.
Të paktën 50% e krediteve (5 kredite) në aktivitetet e zhvillimit të vazhdueshëm profesional duhet të jenë të lidhura me aspekte metodologjike të zbatuara në fushën/profilin që mbulon.
Të paktën 70% e krediteve (7 kredite) në aktivitetet e zhvillimit të vazhdueshëm profesional duhet të jenë në aktivitete të drejtpërdrejta. Tarifa për 8 kredite nuk duhet të jetë më e lartë se tarifa minimale e një krediti për ciklin e dytë të studimeve në fushën e mësuesisë, në institucionet publike të arsimit të lartë.
Pagesa dokumentohet me faturat përkatëse. Konvertimi i krediteve të përfituara përpara vitit shkollor 2024–2025, është: a) 0.5 kredit llogaritet 5 kredite me sistemin e ri të krediteve; b) 1 kredit llogaritet 10 kredite me sistemin e ri të krediteve.
Mësuesja B. S. në Pogradec pohoi se trajnimet janë një proces i vazhdueshëm, por ato prej vitesh kanë humbur kuptimin, pasi nuk po përçojnë njohuri të reja. “Në të shumtën e rasteve, trajnimet zhvillohen me pyetje të trajnerëve ndaj mësuesve, kur duhet të ndodhte e kundërta”.
Ajo i shikon trajnimet me pagesë si një hapësirë e re biznes-operatorë të tretë. B.S tha se më shumë vëmendje po i kushtohet imazhit se sa përmbajtjes mësimore. Fokusimi tek imazhi dhe jo transferimi i njohurive është bërë shkak për rënien e aftësive të nxënësve shqiptarë.
Cens 2023 zbuloi se numri i nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar ka rënë me 42% nga 2012-a
Të dhënat e Cens 2023 kanë zbuluar se numri individëve +6 vjeç që ndjekin arsimin parauniversitar ishte 317,213 nxënës, teksa në të njëjtin vit shkollor (2023-2024) INSTAT, referuar Ministrisë së Arsimit, raportoi se arsimin parauniversitar +6 vjeç e ndiqnin 349,827 nxënës.
Numri i nxënësve që ndjekin arsimin nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme ishte rreth 27 mijë nxënës më pak, ose 9.3% më i ulët se sa shifra zyrtare që është referuar në fillimin e vitit akademik.
Të dhënat e Cens 2023 kanë treguar rënie drastike të numrit të nxënësve në shkolla. P.sh., INSTAT referoi se në vitin akademik 2023-2024 e ndiqnin arsimin 9-vjeçar mbi 258 mijë nxënës, ndërsa sipas Cens 2023, ky nivel arsimor ndiqej nga rreth 231 mijë nxënës.
Gjithashtu Censi referoi se në momentin kur u krye anketa, vetëm 86 mijë persona ishin duke ndjekur arsimin e mesëm, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, në vitin akademik 2023-2024 ishin regjistruar në arsimin e mesëm 91 mijë nxënës, ose rreh 5 mijë më pak se të dhënat zyrtare të regjistrimit.
Të dhënat e Censit tregojnë se arsimi bazë ose përballet me braktisje të studimeve, ose Ministria e Arsimit ka raportuar të dhëna të fryra për numrin e fëmijëve të regjistruar.
Krahasimi i të dhanve nga Cens tregojnë se numri i nxënësve në arsimin universitar ka rënë me 42% nga viti 2012, ku në këtë nivel arsimor ishin të regjistruar 545,262 nxënës.
Ndryshe nga Censet e kaluar, INSTAT ende nuk ka publikuar popullsinë që banon në zonat rurale me të dhënat e Censit 2023, por realiteti tregon se qindra shkolla në zonat rurale të vendit kanë më shumë mësues se nxënës.
Në vitin shkollor 2023-24, numri i mësuesve në arsimin 9-vjeçar është 24.109, ndër të cilët 78,0% janë gra.
Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 15,1, ndërsa në vitin 2010 ishte 20.
Rezultatet e Censit të vitit 2023 tregojnë një shkallë të alfabetizmit (aftësia për të lexuar dhe për të shkruar një deklaratë të shkurtër dhe të thjeshtë për jetën e tyre të përditshme) prej 97,7% për popullsinë e moshës 15 vjeç e lart, nga 97,0% që ishte në Censin e vitit 2011.
Shkalla e analfabetizmit për popullsinë e moshës 15 vjeç e lart është 2,3%.
Më shumë se gjysma (55,0%) e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar arsimin e mesëm ose arsimin e lartë.
Vërehet rritje në përqindjen e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart me arsim të lartë të përfunduar (universitar dhe pasuniversitar) nga 10,7% në Censin e vitit 2011 në 20,2% në Censin e vitit 2023.
2019-2023, diplomat për mësuesi, rënie me 79%
Numri i diplomave në ciklin e studimeve bachelor po reduktohet me shpejtësi, teksa nga viti 2019 në vitin 2023 ranë me mbi 26%, ndërsa degët që lidhen me mësuesinë kishin rënie me 79%.
Të dhënat e INSTAT referojnë se pothuajse gjysma e rënies është akumuluar në vitin 2023, kur numri i diplomave në këtë cikël u tkurr me 14%.
Gjithnjë e më shumë të rinjtë nuk po zgjedhin arsimin e lartë si një investim për të ardhmen e tyre, teksa kriza demografike po ndikon negativisht të gjithë ciklin e jetës në vend.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2019 u shpërndanë 18,696 diploma bachelor në të gjithë arsimin e lartë publik dhe privat, ndërsa në vitin 2023 u shpërndanë vetën 13,800 të tilla.
Të dhëna të detajuara të vitit 2022 për shpërndarjen e diplomave bachelor, sipas fushave të studimit, tregojnë se studimet që lidhen me nxjerrjen e mësuesve të rinj janë në krizë.
Në vitin 2022 u shpërndanë vetëm 341 diploma në degët e arsimit nga 1613 të tilla që u dhanë në vitin 2019 me rënie 79%.
Ky numër diplomash nuk mjafton për të zëvendësuar vendet e lira në shkollat publike në të gjithë vendin.
Bashkitë e Kukësit dhe Dibrës kanë mungesa totale për mësues matematike, teksa Shqipëria po shënon rënie rekord në arritjet mësimore të konfirmuara nga testimi ndërkombëtar PISA 2022.
Ndërkohë rritjen më të madhe e kanë shënuar diplomat për fushat e studimeve që kanë lidhje me shërbimet. Kjo është një tendencë pozitive, teksa kërkesa për këto degë po rritet me zhvillimet në turizëm. Në vitin 2022 kishte 809 diploma në këtë drejtim, me rritje 110% në krahasim me vitin 2019.
Rritje të diplomave ka edhe për degët e TIK, inxhinierisë përkatësisht me 17.5% dhe 23.5% secila ndërmjet 2015 dhe 2022. Gjithashtu diplomat bachelor, që kanë lidhje me shëndetin, u rritën me 9.4% dhe shkencat sociale dhe gazetaria, me 8%.
Ndërkohë ka rënie të ndjeshme të diplomave në artet dhe shkenca humane me 29% dhe biznes, administrim dhe ligje, me 29%.
Ekspertët e arsimit pohuan se rënia e diplomave në ciklin e parë të studimeve të larta po ndikohet nga reduktimi i popullsisë nën 18 vjeç dhe braktisjes së studimeve./Monitor