Gjykata e Durrësit la në burg shoferin 37-vjeçar Elson Rrodhe të autobusit ku u gjetën të fshehura 100 mijë euro të padeklaruara.
Gjatë kontrollit në pikën kufitare të portit detar Durrës, kartëmonedhat u gjetën të fshehura në tavanin e autobusit të linjës Bari-Durrës.
Ato ishin ndarë në 8 pako me prerje të ndryshme dhe me vlerat e mbishkruara në to.
Seanca për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë u zhvillua paraditen e së enjtes nga gjyqtari Sokol Mara.
Pasi dëgjoi palët, ai vleftësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 37-vjeçarin nga Durrësi.
Arrestimi i tij u bë dy ditë më parë gjatë operacionit të koduar “Entry”.